Ministri i Kulturës kërkon themelimin e Shkollës Kombëtare të Baletit në Kosovë

Ministri i Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport, Kujtim Gashi i ka dërguar sot letër Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqri Bytyqi, që të themelojë Shkollën Kombëtare të Baletit në Republikën e Kosovës

Përmes një postimi në facebook Gashi ka thënë se kjo kërkesë ka ardhur për faktin se nuk ka një shkollë të këtillë apo institucion arsimor ku bëhet shkollimi dhe përgatitja e kuadrit për trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës.

“Është e nevojshme të themelohet një institucion arsimor që përgatit kuadro që në një plan afatgjatë të sigurojnë të ardhmen e qëndrueshme dhe cilësore të baletit në vendin tonë”, ka shkruar Gashi në postimin e tij në facebook.

Ai tutje ka shkruar se ndërtimi i kësaj shkolle do t’i siguronte vendit tonë breza të rinj të balerinëve të cilët do të jenë të përgatitur dhe shkolluar nga kuadro profesionale dhe që do t’i ndihmojë Baletit Kombëtar të Kosovës dhe veprimtarisë së baletit në përgjithësi.