Mimoza Kusari përmes gjyqit kërkon 6.500 euro dëmshpërblim nga Ardian Gjini

Në Gjykatën e Gjakovës sot është mbajtur një seancë përgatitore për rastin e padisë së ushtruar nga ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ndaj Ardian Gjinit, kryetar aktual i Komunës.

Në këtë seancë, avokati i deputetes Mimoza Kusari-Lila, Durim Osmani bëri precizimin e kërkesëpadisë.

Avokati po pretendon se në debatet televizive gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, Ardian Gjini kishte shpifur ndaj rivales së atëhershme, Mimoza Kusari-Lila, e cila tani po kërkon kompensim për dëmin moral të shkaktuar sipas saj nga shpifjet dhe fyerjet e Gjinit. Për këtë arsye, ajo po kërkon dëmshpërblim në shumën 6.500 euro.

Në seancën e sotme avokati Osmani i propozoi Gjykatës që të caktohet një psikiatër për vërtetimin e dhimbjeve shpirtërore të paditëses, mirëpo gjyqtari i rastit Drilon Haraçia ia refuzoi, me arsyetimin se nuk ka prova-dokumente mjekësore.

Sipas padisë së parashtruar në nëntor të vitit 2017, fillimisht paditësja kishte kërkuar 9.500 euro, ndërsa pas precizimit të padisë Mimoza Kusari-Lila në emër të cenimit të autoritetit shumën prej 3.250 euro dhe në emër të shkaktimit të dhimbjes shpirtërore shumën prej 3.250 euro, “pasi që i padituri Gjini kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin kundër Shpifjes dhe Fyerjes, duke dhënë deklarata tendencioze, shpifëse dhe fyese”.

Ndërsa avokati i të paditurit Ardian Gjini, Meshari Selimaj, duke kundërshtuar kërkesëpadinë e paditëses Kusari-Lila, tha se e njëjta padi është bërë në kundërshtim me Ligjin civil kundër shpifjes dhe fyerjes.

“Para ushtrimit të padisë ka qenë dashur të merren masat e arsyeshme për ta zbutur çdo dëm të shkaktuar nga shprehja shpifëse ose fyese, duke ushtruar kërkesë para organit kompetent rregullativ siç është Komisioni i Pavarur për Media apo Këshilli për Mediat e shkruara në Kosovë”, tha avokati Selimaj.

Avokati Meshari Selimaj tha se i padituri Gjini kishte përdorur lirinë e opinionit në bazë të Ligjit për Shpifje se askush nuk do të jetë përgjegjës për shpifje dhe fyerje dhe duke përdorur lirinë e të shprehurit si një e drejtë e një politikani, ai ka fituar zgjedhjet duke mbajtur qëndrimin e tij karshi kundërshtares asokohe e cila ka nxitur debat me shprehje dhe diskursin e saj tendencioz e ndoshta edhe qëllimkeq.

“Pjesa përreth kullës e cila gradualisht do t’i nënshtrohet shpronësimit e që ky shpronësim është kompetencë e Qeverisë së Kosovës, do t’i takon familjes Kusari, të afërm të paditëses Mimoza. Mirëpo Drejtoria për Urbanizëm ia ka lejuar investitorit N.N.T “Art Konstruksion” me pronar Agim Deda, ndërtimin e objektit shumëbanesor në pronat e familjes Kusari”, deklaroi avokati Selimaj.

Duke kërkuar nga Gjykata që një padi të tillë ta refuzojë, avokati Selimaj tha se nëse këto biznese sipas opinionit qytetar ku merr pjesë burri i paditëses operojnë në mënyrë të ligjshme, atëherë kjo nuk mund të merret si shpifje.

Gjyqtari Drilon Haraçia caktoi datën 18 prill për dëgjimin e të dy palëve të cilët nuk ishin prezentë në sallë të gjykimit dhe njëherit tha se me vendim të veçantë do të vendos për urdhëresën gjyqësore të kërkuar nga paditësja, në të cilën kërkohej kërkim-falja publike nga i padituri Ardian karshi paditëses Mimoza Kusari-Lila.

Sipas padisë, Ardian Gjini në televizionin Klan Kosova kishte thënë që “Kusari-Lila i ka dhënë vetes leje 23 metra afër kullës së Sylejman Vokshit, duke i futur në borxh qytetarët e Gjakovës”.

Në padi thuhet se Gjini në bazë të aludimeve të tij ka thënë që Kusari-Lila nuk ka lënë gjë pa bërë për interesa personale me theksimin se u ka dhënë tenderë bizneseve në të cilat është partner burri i saj Arben Lila, në kompaninë “Fiberlink” dhe në diskotekën “Hangover” në Gjakovë.

Padia e Mimoza Kusari-Lilës thekson se bashkëshorti i saj nuk është as partner i “Fiberlink”-ut e as pronar i diskotekës, e po ashtu ceket se ajo nuk ka pasur asnjë interes personal në shpronësimin e tokave përreth kullës së Sylejman Vokshit, pasi që plani urbanistik ishte bërë para se Kusari-Lila të bëhej kryetare e Gjakovës dhe se çdo veprim në kundërshtim me planin urbanistik do të ishte i kundërligjshëm.

Në padi ishte kërkuar nga gjykata që jashtë shqyrtimit gjyqësor të lëshohet urdhërese gjyqësore, me të cilën duhej detyruar i padituri Ardian Gjini që paditëses Mimoza Kusari-Lila t’i kërkojë falje publike lidhur me shpifjet e bëra.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!