Mimoza Kusari Lila dhe Emin Lati

Anulohet seanca gjyqësore ndaj Emin Latit, i akuzuar për kanosje dhe nxitje të urretjes ndaj deputetes Kusari- Lila

Është anuluar seanca gjyqësore e cila pritej të mbahej sot ndaj Emin Latit, i akuzuar se ka kanosur deputeten nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila.

Sipas aktakuzës Lati e kishte kanosur deputeten Kusari- Lila në emisionin “Frontal” në televizionin “T7” me fjalët “Jena ligë na veteranët, se ata duhet me ngreh zhag nëpër asfalt, deri të ia qesim eshnat në tokë”.

Sipas gjyqtarit të rastit Driton Berisha, anulimi i seancës ka ardhë pasi i akuzuari, Lati ka njoftuar gjykatën se nuk mund të prezantoj në gjykatore për shkaqe shëndetësore.

Seanca e datës 01.03.2024 nuk kishte arritur të mbahej pasi palët ishin deklaruar se nuk janë pajisur me shkresat e lëndës.

Sipas prokurorisë, i akuzuari më datë 14.07.2023 në emisionin “Frontal” në televizionin “T7” e ka kanosur deputeten Kusari Lila me fjalët “Jena ligë na veteranët, se ata duhet me ngreh zhag nëpër asfalt, deri të ia qesim eshnat në tokë”.

Sipas prokurorisë, në këtë rast janë konsumuar elementet e veprës penale të kanosjes.

Në diapozitivin dy të aktakuzës, për veprimet e njëjta të datës 14.07.2023, Lati akuzohet se ka kryer veprën penale të nxitjes së përçarjes.

Çka kishte deklaruar Kusari- Lila në Prokurori lidhur me kanosjen?

Kusari- Lila në deklaratën në prokurori kishte thënë se nuk e njeh personin në fjalë, duke shtuar se për herë të parë ka dëgjuar për të, në atë emision.

Sipas deklarimit të deputetes Kusari- Lila, kjo ka qenë një periudhë mjaft sfiduese në aspektin e sigurisë personale dhe të familjes.

“Jam ndjerë e kërcënuar dhe e abuzuar nga deklarata në fjalë”- kishte deklaruar në prokurori Mimoza Kusari- Lila.

Çka tha i akuzuari në Prokurori?

Sipas deklaratës së dhënë në polici, Lati kishte deklaruar se i vjen keq për gjuhën që ka përdorur pasi që nuk është në edukatën e tij të flas kështu.

“Pasi e dëgjova intervistën time të dhënë në emisionin “7”, të prezantuar nga ju, pasi që më herët nuk e kisha dëgjuar, i dëgjova fjalët e të cilat i kamë thënë, sinqerisht mua më vjen keq për shprehjet të cilat i kam përdorur sepse nuk është në edukatën time e as të familjes të deklarohem ashtu për dikë, e aq më pak për një femër”- kishte thënë në polici, tashmë i akuzuari.

I njëjti tutje kishte thënë se e ka takuar deputeten Kusari- Lila në shumë raste, por asnjëherë nuk i ka shkuar mendja të dëmtoj të njëjtën.

Raportimet e KALLXO – LINK