Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, Mimoza Kusari-Lila Foto: Ilirjana Hoti KALLXO.com/ 21.02.2024
Kusari-Lila: Qëndrimet e Baljes si kryetare e Komisionit për të drejtat e njeriut janë brengosëse
Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e ka kritikuar deputeten Duda Balje për deklaratat kundër Kodit Civil dhe Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor.
Kusari-Lila tha që se deputetja Balje duhet t’i ndaj bindjet personale nga përgjegjësia publike që mban si kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.
“Është brengosës fakti që një kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut paraqet qëndrime që nuk përkojnë me të drejtat universale të njeriut. Qëndrimet e deputetes Duda Balje janë të tilla dhe për këtë kemi ngritur shqetësimin me Grupin multietnik. Ajo në fakt është në atë pozitë si propozim i Grupit multietnik”, tha Kusari-Lila.
Duke u thirrur në bindjet e saj, deputetja Balje e ka kundërshtuar në vazhdimësi nenin e Projekt Kodit Civil që i lejon martesat mes personave të gjinisë së njëjtë.
Më 01.03.2024, me mbishkrimin në pankarta: “Deputetët s’kanë mandat me i cenu trupat tanë”, kolektivi “Marshojmë S’festojmë” mbajtën aksion protestues lidhur me reagimet kundër Projektligjit për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, në hyrje të Kuvendit të Kosovës.
Në mesin e pankartave të vendosura në dyer të Kuvendit, shkruajti “Duda, ku i ke kufijtë”.
Projektligji për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor është miratuar në parim në tetor të vitit 2023, ndërsa më 22.02.2024 nuk u hodh në votim në seancën e Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit.
Në mars të vitit 2023, ky Projektligj ka ngjallur debat mes deputetëve në Kuvend.
Disa deputetë të pushtetit patën dalë kundër e duke nxitur edhe reagime të organizatave joqeveritare.
Ndërkaq, edhe deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani ka konfirmuar për KALLXO.com se ai është deputeti qe s’ka marrë pjesë në votim dhe se për të e kishte fjalën kryeparmnatari Glauk Konjufca.
“Po të sakta janë të dyja”- tha shkurt deputeti për KALLXO.com.
Rrahmani në vazhdimësi është deklaruar kundër këtij projektligji.
Gjatë shqyrtimit në parim, Rrahmani kishte thënë se duhet të rishikohet projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, për shkak se sipas tij, cenon familjen, për vlerat e së cilës thotë se angazhohet.
Deputetja Duda Balje kishte kundërshtuar po ashtu këtë projektligj.