Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, Mimoza Kusari-Lila Foto: Ilirjana Hoti KALLXO.com/ 21.02.2024

12 marrëveshje ndërkombëtare presin miratimin e Kuvendit, Kusari-Lila përkujton "afatet e skadencës"

Për partinë në pushtet- Lëvizjen Vetëvendosje, marrëveshjet ndërkombëtare mbeten sfiduese. Aktualisht janë 12 të tilla që presin miratimin në Kuvendin e Kosovës.

Këtë shqetësim e ka adresuar shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, të mbajtur me 11.03.2024.

Ajo bëri të ditur se grupet parlamentare nuk u pajtuan për caktimin e një seance për t’i votuar këto marrëveshje ndërkombëtare.

“Nuk arritëm dakordim për një seancë tjetër të rregulltë në të cilën mund ta kishim votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. U dakorduam që këtë ta kemi në javët e ardhshme. Mbetet sfiduese për ne fakti që janë 12 marrëveshje të cilat presin miratimin dhe afati për zbatimin e të cilave mund të skadoj. Shpresoj që mund të kemi trajtim shumë serioz të afateve të cilat mund të kenë skadencë dhe të caktohet një seancë e veçantë”- ka thënë ajo.

Kuvendi i Kosovës në seancën e mbajtur më 07.03.2024 nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pasi provoi të hedh në votim dy prej tyre, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca konstatoi se nuk kishte kushte për trajtimin e tyre.

Nga partitë opozitare, deputetët e PDK-së nuk kanë marrë pjesë në votim, ndërsa ata të LDK-së kanë votuar kundër.

Pro marrëveshjes ndërkombëtare që u hodh në votim, kanë qenë deputetët e AAK-së.

Në rend të ditës në atë seancë ishin 11 marrëveshje ndërkombëtare.

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare qe bartur në këtë seancë, pasi as në seancat e mbajtura më 08.02. 2024 dhe 15.02.2024 nuk ka pas kuorum të mjaftueshëm për votimin e tyre.

Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare të cilat kishin mbetur në agjendën e legjislativit për muaj me radhë.

Miratimi u tyre u bë i mundshëm me pjesëmarrjen në votim të deputetëve nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.