Prezantimi i indeksit të kënaqshmërisë nga INPO, Foto: INPO

Më pak se gjysma e qytetarëve të kënaqur me shërbimet komunale në Prishtinë

Sipas raportit të Indeksit të kënaqshmërisë me shërbimet komunale në Prishtinë të realizuar nga organizata joqeveritare ‘INPO’ del se mesatarja aritmetike e kënaqshmërisë me të gjitha shërbimet komunale në komunën e Prishtinës është 39.8 për qind.

Ndërsa e pakënaqshmërisë 31.1 për qind. Mesatarja aritmetike e qytetarëve me qëndrim neutral, as të kënaqur e as të pakënaqur me shërbimet komunale është 21.38 për qind.

Indeksi është dizajnuar të bëjë vlerësimin e kënaqshmërisë me shërbimet komunale të cilat ofrohen nga komuna bazuar në kompetenca vetanake.

Indeksi ka bërë matjen e 15 llojeve të ndryshme të shërbimeve komunale, si dhe matjen e kënaqshmërisë së qytetarëve me pushtetin lokal duke i pyetur qytetarët për nivelin e kënaqshmërisë së tyre me punën e kryetarit, Kuvendit Komunal dhe drejtorive komunale.

Të dhënat e dala nga anketa, përfaqësojnë mendimet e qytetarëve të moshës 18 vjeç e më shumë, gra dhe burra, të cilët janë intervistuar përgjatë muajit prill 2018, në zonat urbane dhe rurale të Prishtinës.

Të dhënat tregojnë se shërbimet komunale si, cilësia e arsimit, aktivitetet sportive, mbështetja e klubeve sportive, aktivitetet rinore, gjendja dhe mirëmbajtja e rrugëve, trotuaret, parkingjet publike, hapësirat gjelbëruese, kanalizimi, planifikimi urban dhe rural dominojnë në listën e pakënaqësive të qytetarëve.

Shërbimet të cilat janë vlerësuar si pozitive nga prishtinasit janë shërbimet administrative, shërbimet shëndetësore nga QKMF-ja, QMF-të dhe ambulantat shëndetësore, përfshirjen në sistemin e ujësjellësit, furnizimin me ujë, cilësinë e ujit, grumbullimin e mbeturinave, ndriçimi publik në hapësira publike dhe rrugë, si dhe shërbimet e transportit publik.

Vlerësimet e qytetarëve janë të ndryshme sa i përket performancës së organeve komunale.

Të kënaqur apo shumë të kënaqur me punën e kryetarit të komunës prej kur ka filluar mandatin janë 41.89 për qind e qytetarëve kundrejt 24.69 për qind e atyre janë të pakënaqur ose shumë të pakënaqur.

Vlerësim negativ është dhënë për punën e drejtorive komunale, ku 32.68 për qind e tyre janë të pakënaqur apo shumë të pakënaqur ndërkaq vetëm 20.64 për qind janë të kënaqur.

Ndërkaq, me punën e kuvendit komunal 29.86 për qind e qytetarëve janë shprehur të pakënaqur apo shumë të pakënaqur. 22.1 për qind e prishtinasve janë të kënaqur apo shumë të kënaqur dhe 26.66 për qind e tyre janë shprehur neutral.

Panelistët e kësaj tryezë ishin Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme në MAPL, Muhedin Nushi, drejtor i Administratës në Komunën e Prishtinës dhe Albulena Nrecaj, drejtoreshë ekzekutive në INPO.

Rozafa Ukimeraj vlerësoi këtë raport si të vlefshëm i cili paraqet perceptimet e qytetarëve për shërbimet komunale. Gjithashtu, ajo shfaqi të dhënat e shërbimeve komunale të bërë nga MAPL të cilat kanë ngjashmëri mes dy raporteve. Tutje Ukimeraj shtoi se për vlerësimet tjera rreth performancës së Komunës së Prishtinës ne do t’i referohemi këtij raporti.

Muhedin Nushi tha se rezultatet e këtij indeksi janë të ngjashme me parametrat e indeksit të kaluar. Si dhe vlerësoi se rezultatet e këtij raporti do të shërbejnë si informacione se ku duhet të fokusohemi më shumë në të ardhmen.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të organeve komunale, përfaqësues të ndërmarrjeve publike komunale, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe mediave, të cilët vlerësuan lartë punën e organizatës INPO dhe u pajtuan më të gjitha rezultatet e indeksit.