Mbyllen 10 lokale të lojërave të fatit në Mitrovicë

Inspektorati ka mbyllur 10 lokale të lojërave të fatit për mungesë licence dhe në afërsi të shkollave në komunën e Mitrovicës.

Kështu ka bërë të ditur Komuna përmes një komunikate për media.

Komuna njofton se sot gjatë tërë ditës inspektorët kanë inspektuar të gjitha lokalet që zhvillojnë biznesin e lojërave të fatit dhe të bastoreve.

“Sot në mesditë Drejtoria e Inspeksionit në bashkëpunim me Departamentin e Lojërave të Fatit dhe Policinë ka bërë inspektime tek lokalet e lojërave të fatit dhe bastoreve ku pas verifikimit, janë mbyllur 10 lokale që kanë zhvilluar biznesin e lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka thënë se mungesa e licencave dhe distanca me shkollën, ishte shkaku i ndalesës.

“Lojërat e fatit në përgjithësi duhet të operojnë në përputhje me ligjin, duhet të jenë të licencuara, duhet të kenë një largësi prej institucioneve arsimore, komunale, pra, prej atyre publike. Ne kemi kërkuar një rishqyrtim prej ATK-së, që bashkë me ta dhe me Policinë t’i shohim të gjitha lojërat e fatit se a po i përmbushin këto kritere. Kemi gjetur se ato nuk i përmbushin kriteret, dhe në një aksion të sotëm bashkë me ATK-në dhe Policinë kemi mbyllur 10 pika të lojërave të fatit. Ky aksion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim”, citohet te këtë thënë Ahmeti.