Lumi Ibër në Mitrovicë, Foto: KALLXO.com
Ndërprerja e rrjedhës së Ibrit në Mitrovicë, Inspektorati urdhëron ndaljen e punimeve që u kryen pa leje
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH), ka gjetur se për punimet e zhvilluara për ndërtimin e urës për këmbësorë, në rrjedhën e lumit Ibër në Mitrovicë, nuk është marrë parasysh asnjë kriter i paraparë për mbrojtjen e ujërave.
Inspektorati mjedisor ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të punëve, derisa ka shqiptuar edhe dënime për rastin në fjalë. Rasti është denoncuar edhe në Polici dhe Prokurori.
Sipas ministrisë, Komuna e Mitrovicës nuk ka qenë e pajisur me leje përkatëse për këto punime, gjë që ka bërë që të ndërpritet rrjedha e lumit si dhe të shteret shtrati i tij.
KALLXO.com ka raportuar ditë më parë për shterjen e lumit Ibër si dhe për arsyetimet e institucioneve për këtë çështje.
Lidhur me këtë çështje, nga ministria thonë se ekipi profesional i Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ka bërë të gjitha veprimet sipas legjislacionit të ujit me ekspertizat e nevojshme.
“Punimet e zhvilluara për ndërtimin e urës për këmbësor, në rrjedhën e Lumit Ibër, nuk kanë marrur parasysh asnjë kriter të paraparë me legjislacionit e ujor dhe mjedisor për ndërtime në mjedisin ujor, në ruajtjen e ekuilibrit natyror dhe ekosistemit ujor në bazë të Prurjes së Pranueshme Ekologjike, sipas udhëzimit administrativ”.
Kështu thuhet në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, nga Fatlije Buza, Udhëheqëse e Divizionit për Planifikim të Resurseve Ujore në Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, që operon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Tutje ekipi i ministrisë thotë se Komunë e Mitrovicës nuk ka pasur dijeni për kriteret e ndërtimit në ujërrjedha.
“Punimet janë zhvilluar nga punëkryesi, projekt i Komunës së Mitrovicës (nën mbikëqyrje te tyre) , duke mos pasur dijeni për kriteret e ndërtimit në ujërrjedha, nga fakti që nuk ka qenë i pajisur me leje Ujore (Kushte , Pëlqim Ujor), prandaj ka mbyllur portën për të zhvilluar punimet e urës” – ka theksuar tutje ajo.
Sipas përgjigjes, “Inspektorati i MMPHI, menjëherë ka marrë masat e duhura dhe ka realizuar procedurat e bazuara në legjislacion, në mungesë të Pëlqimit Ujor, për rastin e punimeve të Urës ne zonën Urbane të Komunës”.
Zëvendësministri i MMPH-së, Avni Zogiani ka bërë të ditur se rastin e kanë denoncuar edhe në organet e drejtësisë.
“Inspektorati mjedisor ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të punëve, ka shqiptuar dënime dhe ka denoncuar dëmin në polici e prokurori! Inspektorati komunal është i obliguar të sigurojë zbatimin e këtij vendimi!” ka shkruar ai në Facebook.
Për këtë vendim të ministrisë, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Komunën e Mitrovicës dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.
Qytetarët kanë shprehur shqetësime për mungesën e ujit në lumin Ibër, ndërsa institucionet në Mitrovicë kanë pasur qëndrime kundërthënëse.
Më 23 korrik, Komuna e Mitrovicës kishte njoftuar se arsyeja e mungesës së ujit në lumë është për shkak të punimeve të zhvilluara në Liqenin e Ujmanit.
Në anën tjetër, Kryeshefi i Ibër-Lepenzit, Faruk Mujka pati thënë se arsyeja kryesore e mungesës së ujit në Lumin Ibër janë punimet tek ndërtimi i urës në Liqenin Akumulues dhe hapja e portave të liqenit.