Mbeten Shqetësuese Mbeturinat në Kosovë

Iniciativa “Ta pastrojmë Kosovën” ka mbledhur në Prishtinë aktorë, këngëtarë, sportistë dhe politikanë, të cilët kanë kryer një aksion për mbledhjen e mbeturinave.

Koordinatori i kësaj iniciative Luan Hasanaj tha që mjedisi i Kosovës po degradohet dita-ditës dhe reagimi është në nivel të ulët si nga ana e qytetarëve gjithashtu edhe nga qeveria.

“Dua t’u bëj thirrje institucioneve, posaçërisht Ministrisë së Mjedisit që të fillojnë me rishikimin edhe të legjislacionit për mjedis apo rregulloreve komunale për mjedisin,” tha ai.

Hasanaj tha që ata janë të gatshëm ta japim kontributin e tyre ashtu siç po e bëjnë çdo ditë bashkë me organizata tjera.

pastrimi 2

“Besojmë që edhe Bashkimi Evropian do të jetë në krahun tonë t’u bëjnë presion institucioneve dhe bashkërisht ta zgjidhim këtë problem [të mbeturinave],” u shpreh ai.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar tha që edhe qytetarët edhe institucionet duhet t’i kushtojnë më shumë kujdes ruajtjes së ambientit.

“Institucioneve duhet t’u kërkohet të bëjnë shumë më shumë sepse me një vështrim të thjeshtë te buxheti i ndarë, shihet shumë pastër që mjedisi dhe pastrimi i tij nuk është ndonjë prioritet i lartë,” tha Zhbogar.

Ai tha që Bashkimi Evropian ka investuar 12 milionë euro për trajtimin e mbeturinave.

“Bashkimi Evropian deri në këtë moment ka investuar shumë në mjedisin e Kosovës dhe për të ardhmen kemi alokuar diku rreth 12 milionë euro që do të përdoren për menaxhimin e mbeturinave në tërësi,” deklaroi Zhbogar.

Aktori kosovar Sevdai Radogoshi tha se aksione të tilla është dashur të organizohen më herët.

“Ne me shumë vullnet kemi ardhur me i pri këtij aksioni i cili është dashtë me u bë ma herët dhe duhet me vazhdu  dhe me i tregu krejt Kosovës që duhet me e ruajt ambientin se askush nuk na e ruan,” tha ai.

pastrimi