Foto: KALLXO.com

Zvarritja e punimeve në rrugën "Muharrem Fejza", banorët protestuan para Komunës së Prishtinës

Një numër i vogël i banorëve të lagjes “Mati 1” të kryeqytetit kanë protestuar sot para Komunës së Prishtinës për shkak të vështirësive të cilat po ua shkakton zvarritja e punimeve në rregullimin e rrugës “Muharrem Fejza”.

Banorët, të prirë nga përfaqësuesi i lagjes, Dren Shahini, kanë mbajtur në duar një pankartë në të cilën ishtre projekti i Komunës, i cili parashihte që punimet të përfundonin këto ditë.

Më 26 prill kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, kishte paralajmëruar fillimin e punimeve në këtë rrugë.

“Prej nesër do të fillojnë punimet në rrugën “Muharrem Fejza. Ju informojmë se realizimi i këtyre punimeve do të paraqet telashe në zhvillimin e komunikacionit në këtë rrugë.  Do të mundohemi që këto pengesa të jenë minimale”, kishte shkruar Ahmeti në Facebook.

Përfaqësuesi i banorëve, Dren Shahini, ka deklaruar se zvarritja e punimeve në “Muharrem Fejza” ua ka vështirësuar jetesën. Ai tha se deri më tani nuk është përfunduar asgjë.

 

“Nuk kemi oksigjen, sot duhet të planifikojmë një orë e gjysmë prej lagjes për të mbërritur këtu. Bëjmë 40 minuta për ta kaluar lagjen. Shumë bashkatdhetarë që janë pjesë e jona në lagje s’kanë mundur t’i shijojnë pushimet për shkak tuajin”, deklaroi ai.

Para banorëve protestues doli drejtori i Investimeve kapitale dhe menaxhim të kontratave, Gëzim Mehmeti,  i cili i ftoi në takim banorët e lagjes për t’i informuar se si po shkojnë punimet në këtë pjesë të qytetit.

Gjate takimit drejtori është shprehur i pakënaqur me punën e disa operatorëve ekonomikë, të cilët, sipas tij, nuk janë të kontraktuar nga Komuna.

‘’Punimet nga ana e operatorëve ekonomikë të cilët nuk janë të kontraktuar nga ana e Komunës nuk janë duke e kryer punën sipas dinamikës së paraparë’’, shtoi drejtori.

Ai shtoi se sot gjatë ditës është informuar se KEDS-i ka filluar me dislokimin e shtyllave elektrike.

Ai premtoi se segmenti i parë prej 200 metrave do të finalizohet javën tjetër ndërsa gjatë muajit shtator do të përfundohen  500 metrat e fundit.

Përfaqësuesit e banorëve kanë kërkuar nga drejtori që të merret vendim lidhur me zgjatjen e orarit të punimeve në mënyrë që punimet të kryhen sa më shpejt, kërkesë që drejtori pranoi se do ta shqyrtojë si mundësi.

Po ashtu ai shtoi se janë disa prona private te cilat nuk kanë leje dhe  të cilat pamundësojnë punimet.

Në fund të takimit drejtori për Investime kapitale dhe menaxhim të kontratave është shprehur i gatshëm që të takohet me qytetarët sa herë që është e nevojshme.

KALLXO.com edhe me herët kishte raportuar lidhur me protestat dhe gjendjen në rrugën “Muharrem Fejza”.

https://kallxo.com/lajm/neser-fillojne-punimet-ne-rrugen-muharrem-fejza-paralajmerohen-telashe-ne-qarkullim/

https://kallxo.com/lajm/pluhuri-balta-ujerat-e-zeza-e-gropat-ne-rrugen-muharrem-fejza-banoret-bllokojne-rrugen/