Lutfi Haziri, LDK, Gjilan. Foto: Kallxo.com

Lutfi Haziri reagon ndaj ‘budallakisë’ së ministrave e deputetëve për rastin Shaqiri e Xhaka

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj deklaratave të politikanëve kosovarë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë t’ua paguajnë ose t’i ndihmojnë të paguajnë gjobat dy lojtarët e kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, të dënuar të hënën nga FIFA.

Pasi që deputeti Gani Dreshaj shprehu gatishmërinë për t’ua paguar gjobat prej nga 10 mijë frangash zvicerane Shaqirit e Xhakës, dhe ministri i Tregtisë Bajram Hasani tha se ofron një pagë të tij për të paguar këto gjoba, Lutfi Haziri ka shkruar se po lexon e dëgjon budallaki të llojit të vetë.

Kryetari i Gjilanit ua tërheq vërejtjen këtyre “vullnetarëve” se Xhaka e Shaqiri nuk marrin para të korruptuara, dhe ua përkujton se çdo dhuratë më shumë se 50 euro është korrupsion. “Nejse, të korruptuemit nuk e lexojnë mirë këtë punë!”, ka shkruar Haziri.

Ky është postimi i plotë i tij:

“Po lexoj e ndigjoj budallaki të llojit të vetë. Ministra e deputetë po kërkojnë me ja pagu dënimin që u shqiptua për Shaqën e Xhakën. A jeni n’veti bre? A po mendoni që jeni ma t’pasun se Federata e Futbollit zviceran, se konfederata e Zvicres apo edhe se lojtarët, a?!

Nji gja dijeni: ata nuk marrin pare të korruptueme. Nashta edhe keni harrue që ‘çdo dhuratë ma shumë se 50 euro asht korrupsion”. Nejse, të korruptuemit nuk e lexojnë mirë këtë punë!

Edhe nji politikan ia kish kujtue BE dhe ShBA që ish-ministri i Milosevic asht ba president i Serbisë. Po get keni harrue që para se me u ba president, ka qenë edhe kryeministër. Marre asht me manipulue me ‘pagesa’ e memory. Fajtori dihet!”.