Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haziri: Kurti e Osmani manipulojnë me rrezikun e sulmeve nga Serbia

Si “një vit të humbur” nën petkun e tensioneve të larta politike e të mungesës së dialogut e ka vlerësuar 2023-tën nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Ai në intervistë për Portalin Dukagjini ka theksuar se situata politike ka shënuar një degradim të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Haziri, duke përmendur problemet dhe tensionet e vazhdueshme me vendet e rajonit, ka shtuar se ato ishin shkaku i aspiratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të marrë pjesë në zgjedhje në vende të tjera.

“Probleme e tensione të vazhdueshme me vendet në rajon për shkak të aspiratave të z. Kurti për të marrë pjesë në zgjedhje në Shqipëri e Maqedoni të Veriut, ndërhyrja brutale në zgjedhjet e mbajtura në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë”, ka thënë Haziri.

Fillimisht, Haziri ka nisur me një vlerësim të marrëveshjes me Serbinë, duke theksuar se ajo ka pasuar një rrugë të ndërlikuar, duke u degraduar nga një njohje formale në njohje indirekte.

Ai ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet nga një kundërshtar i madh i saj në një përqafues të këtij procesi.

Nënkryetari i LDK-së ka bërë thirrje për implementim të shpejtë të Marrëveshjes me Serbinë, duke theksuar se aleatët e tyre presin veprime konkrete nga kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“‘Zajednica’ e z. Kurtit do të formohet, nga një kundërshtar i madh i saj në një përqafues të këtij procesi. Për vitin e ardhshëm, aleatët tanë presin të kenë implementim të marrëveshjes Kurti-Vuçiq. Jemi në pritje të Qeverisë së Kosovës, pasi që Vuçiq vetëm se filloi me implementimin e marrëveshjes për targat RKS, që vjen si rezultat i marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015”, ka thënë Haziri.

Haziri ka theksuar se këtë vit nuk ka pasur mjaftueshëm raportime në Kuvend, dhe se raportimet kanë qenë vetëm me kërkesë të opozitës, e për këtë, sipas tij, ka ikur nga përgjegjësia.

Ai ka shtuar se Qeveria Kurti e anashkalon opozitën dhe nuk ka dialog me askënd.

“Ka degraduar shëndetësia, arsimi, po bën lojë me Njësitet e Specializuara të Policisë së Kosovës, mospërmbushje e kërkesave të sindikalistëve të arsimit, shëndetësisë, policisë e të tjerëve. Një numër të madh të vendimeve të tij i ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese, e kjo është tregues i qartë se ai nuk po qeveris me Kosovën, por po administron”, ka deklaruar tutje ai.

“Kurti ka ndryshuar metodat, por jo qëllimin”

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kritikuar kryeministrin Kurti, duke thënë se pavarësisht ndryshimeve në metodat e qeverisjes, qëllimi i vërtetë nuk ka ndryshuar.

Ai ka bërë thirrje për ndryshime të dukshme, por ka theksuar se ky ndryshim vjen përmes procesit zgjedhor, duke e cilësuar atë si mjetin kryesor për të konfirmuar legjitimitetin politik.

Haziri ka shprehur gatishmërinë e LDK-së për të hyrë në këtë proces dhe, sipas tij, kthehet në një qëllim të qartë: përmirësimin e imazhit të Kosovës te partnerët ndërkombëtarë përmes politikave të tyre.

Tutje, Haziri ka shprehur shqetësimin e tij ndaj mosveprimit të Qeverisë në lidhje me draftin e Asociacionit.

Duke thënë se po quhet si “model evropian” për Kosovën, ai ka akuzuar Qeverinë për mosdërgim të komenteve, duke shtuar se partnerët ndërkombëtarë presin përfundimin e kësaj faze sa më shpejt.

Ai, po ashtu, ka shprehur shqetësimin për një pako të dytë të masave ndëshkuese për Kosovën nga BE-ja, duke theksuar dështimin e Qeverisë në përfundimin e obligimit për draftimin e statutit në një kohë të arsyeshme.

“Mosveprimi i Qeverisë ka bërë që draft-statuti të përgatitet nga ekspertët e BE-së. Po quhet model evropian për Kosovën dhe është në fazën e komenteve nga Kosova dhe Serbia. Tani po thuhet se Qeveria dhe kryeministri ynë nuk kanë dërguar as komente, e në anën tjetër partnerët ndërkombëtarë pritjen e kanë që kjo fazë të kryhet sa më shpejt dhe procesi të ecë përpara, sepse BE dhe ShBA nuk kanë kohë për shkak të zgjedhjeve. Deri tash dihet se Kosova është nën masa ndëshkuese dhe, nëse vazhdon kështu, pritet edhe pako e dytë e masave ndëshkuese”, ka thënë Haziri.

“LDK-ja ishte e gatshme për zgjedhje dje, është e gatshme për zgjedhje sot”

Teksa ka shprehur gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme, Lutfi Haziri ka theksuar se LDK-ja ka çdo kapacitet njerëzor, politik, dhe ekspertizë të nevojshme, duke përfshirë një program politik të operacionalizuar dhe buxhetuar.

Më tej, nënkryetari i LDK-së ka shtuar se ata njohin problemet e Kosovës dhe kanë zgjidhje për to, duke paraqitur partinë e tij si një alternativë të fuqishme dhe të përgatitur për të drejtuar vendin.

“Mundësia tjetër është nëse presidentja, në pajtim me partitë e tjera politike cakton datën e zgjedhjeve. Zgjedhjet e parakohshme të cilat i shkurtojnë mandatin z.Kurti vetëm për 4 muaj nuk mund të quhen zgjedhje të parakohshme. Të parakohshme mund të quhen vetëm ato zgjedhje të cilat mbahen deri në qershor. Por, edhe nëse dëshirojnë t’i mbajnë në muajin gusht, zgjedhjet janë të mirëseardhura. Në atë muaj mërgimtarët janë këtu, dhe mund ta shprehin lirshëm vullnetin e tyre pa pasur nevojë të shpenzohen dy herë”, është shprehur mes të tjerash Haziri.

”Kurti e Osmani manipulojnë me rrezikun e sulmeve nga Serbia”

I dyti i LDK-së, Lutfi Haziri, lidhur me deklaratat e fundit të presidentes Vjosa Osmani dhe të kryeministrit Albin Kurti, për sulmet e mundshme nga Serbia, ka shprehur shqetësimin e tij për faktin se në një vend që ka përjetuar rreziqe dhe tensione të mëdha nga Serbia në të kaluarën, tani po flitet shumë për mundësinë e një sulmi të ri.

Ai ka vlerësuar se deklaratat e Osmanit dhe të Kurtit janë pjesë e një përpjekjeje për manipulim dhe për të shpërndarë vëmendjen e publikut nga problemet e tjera, me të cilat po përballet vendi.

“Në një vend që flitet më shumë për luftë sesa për paqe, është për keqardhje. Ne, në kohët më të errëta të vendit tonë, kur kemi pasur rrezikun më të madh nga Serbia, kemi folur e punuar për paqe. Kemi bërë rezistencë për një dekadë. Tani, në një shtet të pavarur e sovran, të pranuar nga bota më e civilizuar demokratike, të flitet vetëm për luftë, në kohën kur organet e sigurisë, FSK-së dhe AKI-së janë në punën e tyre, është manipulim dhe tendencë për ta hequr vëmendjen e popullit nga problemet e tjera”, ka deklaruar ndër të tjera ai.

“Gjithmonë ka bazë që Serbia do të tentojë ta destabilizojë Kosovën”

Nënkryetari i LDK-së ka bërë një vlerësim realist të situatës, duke pohuar se kërcënimi nga Serbia është një realitet i përhershëm.

Haziri ka thënë se Serbia ka qenë dhe vazhdon të jetë burim destabilizimi për Kosovën, dhe se ky rrezik është i vërtetë.

“Ne nuk duhet t’i frikësojmë njerëzit tanë për një luftë të mundshme. Partnerët tanë nuk kanë besim në këtë Qeveri. Ne duhet ta ruajmë miqësinë me ta. Vetëm 10 ditë para Vitit të Ri, ai[Kurti] del me një plan shtatëpikësh, në kohën kur ata presin veprime konkrete të implementimit të marrëveshjes më të keqe që ai ka mundur t’ia sjellë Kosovës. Nuk mund t’ia heqë vëmendjen popullit nga dështimet e tij në politikën e brendshme dhe të jashtme duke iu treguar se si po kërcënohemi për luftë”, ka shtuar Haziri.

Haziri ka përmendur deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, vetëm katër ditë para se të invadojë Rusia në Ukrainë, dhe kur e kishte datën nga qeveria amerikane se në këtë ditë do të rrezikohet sovraniteti i Ukrainës, ai iu drejtua popullit të tij duke iu thënë se deri në momentin e fundit po angazhohen për paqe dhe paqe do të ketë.

Sipas tij, liderët që punojnë dhe angazhohen për paqe, instrument të fundit në politikë e shohin luftën.

“Ne kemi në zyre eksponentë politikë që luftën e krizën i kanë mjete për të mbetur në politikë. Kjo është tragjike dhe kërcënim i madh për këtë vend”, ka deklaruar tutje ai.

Sugjerimet e LDK-së për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, sipas tij, janë “të punohet në politikën e brendshme 100 për qind, e të mos merren me shifra e numra për tre vite”.

Kurti, sipas Hazirit, përgjatë tre vjetësh nuk ka qeverisur me Kosovën, por ka administruar, dhe së bashku me të në krah të djathtë presidentja Osmani, e në krahun e majtë kryeparlamentari Glauk Konjufca./Dukagjini