Haziri: Vazhdojmë të mbahemi në terr për shkak të mos zbardhjes së draftit të Asociacionit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri është deklaruar para gazetarëve pas takimit që ka zhvilluar me emisarin e Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak dhe krerë tjerë opozitarë.

Haziri tha se vlerëson angazhimin e Lajçak për takim me opozitën, përkundër që sipas nënkryetarit të LDK-së, vazhdojnë të mbeten në “terr” sa i përket mos zbardhjes së draftit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Besoj që angazhimi i tij dhe ndarja e kohës me partitë opozitare është për tu vlerësuar përkundër që po vazhdojmë të mbahemi në një formë apo një tjetër, në terr për shkak të mos zbardhjes së dokumentit mos transparencës së paku në parime dhe në angazhim në orientim që duhet kryeministri i Kosovës që të jua ofrojë deputetëve në çfarëdo forme edhe popullit të Kosovës”- tha Haziri.

“Sidoqoftë e konfirmova angazhimin e LDK-së që dialogu nuk ka opsion, është e vetmja rrugë për të zgjidhur problemet me fqinjët tanë veriorë, Serbinë, dhe situata pas 24 shtatorit ka ndryshuar por fatkeqësisht Qeveria nuk ka arritë me e kapitalizu këtë ambient të mirë politik, rikthimin e imazhit të Kosovës falë profesionalizmit dhe masave parandaluese që janë realizu”- shtoi ai.

Haziri theksoi se kanë kërkuar nga Lajçaku largimin e masave ndaj Kosovës.

“Nënvizuam nevojën për largimin e masave ndaj Kosovës dhe nevojën që Kosova të mos vazhdojë të dënohet për shkak të dobësive të Qeverisë dhe pa aftësisë së Qeverisë me nxjerrë situata politike në interesin tonë. Kjo është çështje që LDK-ja e konfirmoi dhe sot është interes i ynë të vazhdohet që dialogu të jetë prioritet kryesor dhe tematik e bashkëpunes e ta ruajmë interesin e Kosovës”- tha ai.

Nënkryetari i LDK-së u shpreh se Lajçak u ka treguar opozitarëve që Kosova i ka thënë “po” planit të sekuencimit edhe zbatimin e marrëveshjes dhe modelit europian, përderisa vlerësoi se është rëndësishme që drafti të shihet në detaje dhe të analizohet.

“Një po e konfirmuar nga Kosova u tha edhe nga Lajçak që Kosova e ka pranu edhe planin e sekuencimit edhe zbatimin e marrëveshjes dhe të gjithë atë modelin europian, por tani është çështje që procesi do të zhvillohet, nuk ka shumë kohë nuk guxohet të humbet ky moment”- deklaroi Haziri.

“Ajo që është e rëndësishme është se dokumenti, drafti i moderuar për Kosovën duhet me u pa në detaje sepse duhet me u lexu e me u studiu e analizu dhe atë mundësi besoj se do ta kemi kur të vlerësojnë të tjerët sepse ne vazhdojmë të mbahemi në parimet e njëjta “- shtoi ai.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe emisari Lajçak në takimin që kanë zhvilluar të hënën kanë diskutuar në lidhje me të gjitha aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit.

Kështu është bërë e ditur në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Tutje në këtë komunikatë është thënë se Republika e Kosovës është e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë dhe për njohje reciproke.

Për takimin ka shkruar në platformën “X” edhe emisari Lajçak.

Ai tha se me Bislimin kanë diskutuar për nevojën e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim pa kushte dhe vonesa.

Lajçak ka thënë se janë dakorduar për hapat e ardhshëm por nuk ka treguar se cilët janë ata.

“Sapo u takova me zëvendëskryeministrin e parë Besnik Bislimi për të përcjellë takimin e fundit me liderët europianë në Bruksel dhe nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit pa vonesa dhe parakushte. Ne ramë dakord edhe për hapat e ardhshëm”- ka shkruar ai.

Vizita e emisarit Lajçak në Kosovë vie rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor.

Në ato takime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u takuan ndaras me krerët e Gjermanisë, Francës, Italisë por edhe përfaqësues të lartë të BE-së.

Pas takimit, ai deklaroi se ishte i gatshëm për ta nënshkruar propozimin që i ishte dorëzuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe, që përfshinte një draft statut të vetëmenaxhimit.

“Pavarësisht ofertës sime, Serbia refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen dhe draftin e 21 tetorit. Përkundrazi, ajo kërkoi një letër anësore që do të anulonte 3 parime të marrëveshjes dhe propozimin e 21 tetorit. Pranimi do të thotë nënshkrim, dhe nënshkrimi garanton pranimin dhe zbatimin”- ka thënë Kurti.

Një ditë pas këtij takimi, Kurti para gazetarëve theksoi se drafti për vetëmenaxhimin, i paraqitur nga emisarët europianë e amerikanë, do të kontrollohej menjëherë nga Gjykata Kushtetuese për ta vlerësuar kushtetutshmërinë, nëse do të nënshkruhej në Bruksel.

Ai u shpreh se drafti është shkruar me kujdes ndaj strukturës së Kushtetutës, teksa shtoi se Kosova është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohje reciproke.