Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi

Luftë fjalësh mes Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë vazhduar sot serinë e akuzave të ndërsjella në distancë rreth debateve të fundit që kanë të bëjnë me taksën dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e deri te spekulimet e dy ditëve të fundit për largimin e ushtarëve amerikanë nga kampi ushtarak në Kosovë, Bondsteel.

Në një dalje para gazetarëve në Prishtinë, Haradinaj ia kreditoi Thaçit tërë mjegullën e krijuar për idenë për korrigjimin e kufijve e cila nga opinioni po perceptohet si ndarje e Kosovës.

Haradinaj tha se Thaçi, i cili që nga vera e vitit të kaluar është duke avokuar për  korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “i ka bërë dëme të mëdha vendit me idetë e tij”.

Ai e kritikoi Thaçin edhe për qëndrimet e tij rreth fatit të taksës doganore të cilën qeveria e Kosovës e vendosi ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

https://kallxo.com/haradinaj-deklarohet-per-kercenimet-per-largimin-e-kampit-ushtarak-bondsteel-nga-kosova/

“Diskutimet e tij e kanë pru gjendjen ku jemi sot. Deklaratat se nëse nuk hiqet taksa hiqet edhe Bondsteel janë produkt i Prishtinës, dhe kërkesë e politikanëve nga Prishtina për me rritë presionin për me heqë taksën për shkak se kanë hyrë në ndonjë obligim ndaj Vuçiqit dhe po duan me na qitë para aktit të kryer”, ka pohuar ai.

Në këtë varg akuzash, as Thaçi nuk qëndroi anash këtë të premte.

Duke folur në një tubim me Diasporën shqiptare në Tiranë, Thaçi u bë emocional kur nisi të flasë për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.

“Për ndarje të Kosovës dhe ekzagjerime të tilla, ata që flasin sot janë ata që e kanë ndihmuar Slobodan Milosheviqin, janë miq të Radoiçiqit të cilët I kam dëbuar nga Kosova”, tha Thaçi në një aludim të qartë ndaj ish-liderit demokrat të Shqipërisë, Sali Berisha për akuzat për thyerje të embargos ndaj ish-Jugosllavisë në kohën e luftërave të viteve 1990 si dhe ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për takimet e tij me Milan Radoiçiq, të dyshuarin për rastin e vrasjes së liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq në janar të vitit të kaluar, i cili aktualisht është në arrati pas një fletarresti të lëshuar ndaj tij nga gjykata në Kosovë.

https://kallxo.com/zotohet-thaci-pa-shkelur-mbi-trupin-tim-ndarja-e-kosoves-nuk-ndodh/

“Në anën tjetër, korrigjimi i kufijve. Po. Sepse nuk ka njeri në botë që ma mohon angazhimin tim për realizimin e aspiratës së të drejtave legjitime të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkëngjitje me territorin e Republikës së Kosovës pa u cenuar territori i Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.