Nga një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Lekaj: S’ka Seancë të Enjten për Shkak të Haradinajt

Sipas shefit të grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj të enjten nuk do të ketë mbledhje të Kuvendit, ngase atë ditë në gjykatën e Colmarit të Francës është paraparë seancë rreth kërkesës ekstraduese të Serbisë ndaj Ramush Haradinajt.

“Me kërkesën time si shef i grupit parlamentar të AAK-së u vendos të mos mbahet këtë javë, meqë është seanca për Ramush Haradinajn. Seanca do të jetë javën e ardhshme. Meqë e pashë që nuk ka në agjendë diçka me rëndësi”, tha Lekaj.

Edhe Ismet Beqiri, shefi i grupit Parlamentar të LDK-së tha se të enjten nuk do të ketë seancë.

“Ne u solidarizuam që këtë të enjte të mos kemi seancë”, tha Beqiri.

Xhavit Haliti që sot drejtoi mbledhjen e kryesisë gjithashtu tregoi se seancë të radhës nuk do të ketë të enjten, por vetëm më 11 prill.

Haliti e dha një arsye tjetër pse nuk do të ketë seancë të enjten.

“Ne mbajtëm mbledhjen e radhës. Vendosëm datën 11 prill për seancë. Arsyet janë sepse Komisioni për Stabilizim-Asociim ka disa mbledhje me ministra”, tha Haliti.

Ndërsa Lekaj duke përmendur takimet që gjashtë ditë më parë disa deputetë i patën në Bundestagun gjerman, kërkoi largimin e qeverisë.

“Sa më shpejt të shkojë ky koalicion në shtëpi aq më mirë është për Kosovën. Në Bundestag na kanë thënë se janë të pakënaqur me këtë qeveri e pati edhe kritika. Këta nuk po arrijnë t’i shtyjnë përpara proceset e mëdha”, tha Lekaj.

Ai më tutje përmendi shkuarjen në zgjedhje

“Është mirë të ngrihen këto marrëveshje e të shkohet në zgjedhje. Kemi thënë edhe në Bundestag që vota jonë do të jetë kundër demarkacionit e asociacioni të bëhet vetëm sipas kushtetutës”, tha Lekaj.

Zgjedhjet si zgjidhje për dalje nga gjendja e krijuar në vend i pa edhe Albulena Haxhiu.

“Kuvendi ka kohë që nuk ka mbajtë seancë plenare pikërisht për mungesë kuorumi. Ky Kuvend është komplet jofunksional. Për të dalë nga kjo situatë zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje”, tha Haxhiu.

Por Ismet Beqiri deklaroi se mungesa e kuorumit në disa mbledhje nuk mjafton për zgjedhje.

“Qeveria është shumë stabile. Po e kryen punën e saj. Ka rezultate që janë prezantuar në mënyra e forma të ndryshme. Ka një apo 2 seanca që ka telashe. Kjo nuk është arsye të kërkohen zgjedhje”, tha Beqiri.

Beqiri tha se marrëveshja për ratifikimin e demarkacionit do të shkojë në Kuvend kur do të konsiderohet se ajo mund të kalojë.

“Momentin që ne konsiderojmë që mund të kalojë ai do të vijë në kuvend. Në kohën e duhur qeveria do ta procesojë. Nuk mund ta them kohën kur do të jetë në Kuvend. Ky është treni i fundit”, tha Beqiri.