Ministrja e Punëve të Jahtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Foto: Donika Gërvalla/Facebook

Gërvalla: Paqja në Europë sigurohet duke ndalur Rusinë dhe Serbinë

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se paqja në Europë mund të sigurohet vetëm duke ndalur Rusinë dhe Serbinë.

Në panelin e parë të konferencës dyditore “Defence 24 Days”, ajo ka thënë se kjo është çështja më sfiduese për sigurinë e Kosovës.

“Çështja më urgjente dhe më sfiduese për sigurinë e vendit tonë janë sot Serbia dhe Rusia, pasi që fantazmat e së kaluarës janë ende gjallë, ata që shkaktuan luftëra dhe gjenocid 25 vjet më parë janë ende aktiv. Prandaj paqja në Evropë mund të sigurohet vetëm duke ndalur të gjithë së bashku Rusinë dhe Serbinë”- ka thënë Gërvalla më 06.05.2024.

Duke diskutuar rreth temës “Siguria Rajonale – Sfidë për Europën”, bashkë me përfaqësues të shteteve tjera, nën moderimin e Robert Pszczel nga Organizata për Studime Orientale (OSW), Gërvalla ka folur rreth veprimeve destabilizuese të Serbisë, mendësinë e saj të shekullit të kaluar, mungesën e demokracisë dhe pretendimet e saj, të njëjta me të Rusisë jo vetëm për të pushtuar territore të shteteve fqinje, por edhe për të dëbuar qytetarët dhe për të shkatërruar kulturën dhe trashëgiminë e këtyre shteteve.

Në njoftim thuhet se ajo më pas foli edhe për qeverinë e re të Serbisë duke thënë se Serbia ka emëruar qeveri të luftës, qeveri e cila përbëhet nga ish-ministrat e Millosheviqit dhe të sanksionuarit e SHBA-së.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe drejtorin e AKI-së, Petrit Ajetin, kanë udhëtuar për në Varshavë të Polonisë për të marrë pjesë në konferencën e mbrojtjes dhe sigurisë “Defence 24 Days”.

Konferenca dyditore “Defence 24 Days” u kushtohet çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe sigurinë.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se ministri Maqedonci u takua me ministrin e Mbrojtjes të Polonisë dhe po ashtu zëvendësministrin e Lituanisë, Žilvinas Tomkus, me të cilin diskutuan rreth formave të reja të bashkëpunimit ndërmjet të dyja shteteve dhe gjithashtu vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Grupit për Mbrojtjen e Ukrainës, si pjesë e Koalicionit të Deminimit.

Ndërsa gjatë ditës së nesërme, më 07.05.2024, ministri Mqedonci do të jetë pjesë e panelit si folës, me ç’rast do të trajtojë temën “Misionet e stabilizimit si instrument për ruajtjen e paqes”.