LDK kërkon debat parlamentar për premtimet e koalicionit PAN

Lidhja Demokratike e Kosovës do të dorëzojë sot kërkesën për debat parlamentar në lidhje me premtimet që i ka bërë koalicioni PAN gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar.

Këtë e ka bërë të ditur sot, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një statusi në Facebook.

Sipas tij, dokumenti i miratuar në Qeveri duhet të reflektojë premtimet e koalicionit PAN për zhvillim ekonomik prej 8-10%.

“Në parim, ky dokument duhet të reflektojë premtimet e koalicionit qeverisës PAN për zhvillim ekonomik prej 8-10 për qind, rritje të punësimit, investime në arsim e shëndetësi dhe premtime të tjera, të cilat premtime as për së afërmi nuk shihet se do të mund të realizohen”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti thotë se do LDK do të kërkojë përgjegjësi për secilën pikë të këtij dokumenti për të parë premtimet elektorale të koalicionit.

“Duhet të mësohet secili politikan se nuk ka më hapësirë në politikë për mashtrime, fraza e premtime boshe gjatë fushatës, ndërkaq kur merret qeverisja harrohen të gjitha. Ne do të kërkojmë llogari në emër të qytetarëve për secilin premtim të koalicionit PAN”, ka shkruar në fund Hoti.