FSK - Foto: KALLXO.com

Largimi i prestarëve të FSK-së, flet ministri Rrustem Berisha

Forca e Sigurisë së Kosovës, ditëve të fundit është përballur me kërkesa për largim nga FSK-ja të disa pjesëtarëve të komunitetit serb.

Këto kërkesa për largim sipas vlerësimeve të Ministrisë së FSK-së vijnë si pasojë e sulmeve të qëllimshme që i janë bërë FSK-së, përkatësisht pjesëtarëve të komunitetit serb dhe janë tentim për të dëmtuar arritjet dhe zhvillimin e FSK-së si dhe imazhin e saj si institucioni më i besueshëm në vend për vite me radhë.

Berisha në një konferencë për media ku ka folur për kërkesat e pjesëtarëve të komunitetit serb nga FSK, i cili tha se numri i atyre që kanë kërkuar të largohen është 40.

“Ndjejmë keqardhje për pjestarët tanë të cilët nuk janë lejuar të vendosin lirshëm për vazhdimin e karrierës profesionale, të ardhmes së tyre, duke ndikuar negativisht direkt në mirëqenien e tyre dhe të familjeve të tyre”, thuhet në deklaratën e ministrit të FSK-së Rrustem Berishës, njofton Ministria e FSK-së.

Siç bëhet e ditur në njoftim, ministri Berisha ka thënë se pjesëtarët e FSK-së nga komuniteti serb kanë qenë shumë mirë të integruar në nivel të përgjegjësive dhe detyrave të tyre, prandaj shantazhet dhe kërcënimet e bëra janë të papranueshme, janë shkelje e të drejtave themelore të njeriut.

“Diversiteti etnik dhe profesionalizmi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një vlerë që është e njohur dhe e pranueshme nga miqtë tanë ndërkombëtar dhe shtetet anëtare të NATO-s, dhe kjo vlerë është duke ju penguar atyre që nuk ja duan të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj, pavarësisht se cilit komunitet i takojnë”, thuhet tutje në deklaratë, njofton Ministria e Forcës së Sigurisë.

Sipas njoftimit për media FSK-ja, do të vazhdojë në përmbushje të misionit dhe zhvillimit të mëtejshëm të kapaciteteve operacionale si dhe angazhimin për përfundimin e tranzicionit në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), si forcë moderne mbrojtëse për Kosovën dhe popullin e saj pa asnjë dallim.

Berisha siç njofton Ministria e FSK-së ka deklaruar se rruga e Kosovës dhe e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk do të ndalet.

FSK-ja sipas tij ka qenë, është dhe do të jetë e hapur për të gjitha komunitet që jetojnë në Kosovë dhe gjithherë do të jetë në shërbim të qytetarëve të saj.

Ndryshe, rreth 20 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb kanë paraqitur në mënyrë kolektive kërkesat për ta braktisur FSK-në. Që të gjithë, janë nga rajoni i Gjilanit.