Foto: KF Bashkimi/Facebook

Kryetari i KF Bashkimit kundër dënimit të klubit nga Komisioni Disiplinor

Udhëheqja e KF Bashkimit nuk po pajtohet assesi me vendimin e Komisionit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ka hapur një procedurë disiplinore për shkak të lëshimeve të organizimit të ndeshjes së xhiros së gjashtë në Ligën e Parë ndërmjet, KF Bashkimit dhe Besës.

Në një prononcim për Kallxo.com, kryetari i klubit të KF Bashkimit, Arsim Rapuca ka thënë se nuk qëndrojnë ato se çka janë shkruar nga Komisioni Displinor, ku thuhet që gjyqtarit kryesor të ndeshjes Bajram Gashi i janë shpuar gomat e veturës dhe i është gërvishur vetura.

Pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet KF Bashkimit dhe Besës së Pejës, e cila u zhvillua të dielën ku mbaroi me rezultatin 2-2, tifozët vendas të frustruar me referimin e gjyqtarit kryesor Bajram Gashi pas përfundimit të ndeshjes kanë tentuar që ta sulmojnë këtë të fundit, por Policia dhe zyrtarët e klubit të Bashkimit e kanë parandaluar këtë.

Ndërsa në bazë të shënimeve në protokoll, Komisioni Disiplinor i FFK-së ka hapur procedurë disiplinore për skuadrën e KF Bashkimit deri në vendimin final. 

Po ashtu Komisioni i ka dënuar dy lojtarë, Patriot Fazliun për të gjitha ndeshjet zyrtare e kanë dënuar deri në vendimin përfundimtar, pasi sipas komisionit disiplinor ai i ka nxitur tifozët që ta sulmojnë gjyqtarin e ndeshjes, ndërsa Altin Basha është dënuar me tri ndeshje mos lojë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq.

“Pasi ka dalur të vetura e kam përcjellur unë në mënyrë të rregullt, ka hyp në vetur bashkë me delegatët, e kanë përcjell policia, as nuk e ka njoftuar policinë se iu ka shpuar goma apo iu ka gërvishur automobili. Prej parkimit tanë vetura ka dal në mënyrë të rregullt, ato që thuhen nga FFK-ja nuk është e vërtetë, pra i cilësojmë si të pa vërteta”, ka vazhduar të tregoj Rapuca për KALLXO.com. 

Kryetari i KF Bashkimit, Arsim Rapuca

Rapuca akuzon referin Bajram Gashi se referimi nga ai ka qenë i anuar pas fillimit të pjesës së dytë, pasi sipas tij Gashi i ka provokuar lojtarët e Bashkimit tërë kohën vetëm që t’i ndëshkojë me karton të kuq dhe ia ka arritur qëllimit.

“Ne kemi qenë duke e mundur Besen 2-0 në pjesën e parë edhe e kemi dominuar me lojë kemi mundur me ja dhanë 3-4 gola. Tasht janë ndij do zëra që dikush nga përfaqësuesit e Besës e ka ftuar dikë në telefon dhe i ka thënë thirre Bajramin  se i kemi keq punët se jemi duke humbur. Pjesa e dytë e referimit ka ndërruar totalisht nga referi Bajram Gashi, duke i fyer lojtarët tanë gjatë lojës vetëm për t’i nxitur ata për të marrë karton të kuq dhe ka ardhë momenti kur e ka ndëshkuar me karton të kuq lojtarin tanë për arsye banale”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Kryetari i KF Bashkimit, Arsim Rapuca e pranon se tifozët atë ditë kanë qenë të revolutuar dhe kanë tentuar ta sulmojnë referin Gashi pas lojës, por thotë se këtë gjë e kanë parandaluar me sukses.

Tutje ai shton se gjyqtari Gashi duke hyrë në zhveshtore i ka fyer tifozët me fjalë banale.

“Disa prej tifozëve të revoltuar kanë tentuar ta sulmojnë referin Gashi pas lojes, por ne e kemi parandaluar dhe kanë hyrë të sigurt ne zhveshtore nën mbrojtjen tanë. Bajrami duke hyrë në zhveshtore i ka fyer goxha rënd tifozët me fjalë banale, këtë nuk mundet me e mohu pasi shoki i vet i tha atë ditë që ka gabuar që i ka fyer tifozët”, ka thënë ai.

Krejt në fund Rapuca i ka komentuar edhe dënimet e dy lojtarëve. Sipas tij dënimi i Altin Bashës cilësohet si i rregullt, por për dënimin e Patriot Fazliut nuk ka fakte.  

“Dënimi i Altin Bashës është në rregull, është dënuar e ka fyer ajo është në rregull. Për dënimin e Patriot Fazliut nuk ka fakte, nuk mundet me thanë sepse u mbyll protokolli, tani pasi është kryer ndeshja e kanë futur djalin në sene të padrejta, pasi nuk është e vërtetë që ai i ka nxitur tifozët për ta sulmuar referin. Nesër kemi me e dërguar raportin në FFK, pasi deri më 4 tetor kemi afat me e dërguar”, ka përfunduar Kryetari i KF Bashkimit për Kallxo.com.

Ani pse jemi pranuar për më shumë se dy vite në UEFA dhe FIFA, në tribuna dhe në fushat e blerta të futbollit kosovar ende po ndodhin gjëra të cilat po ia dëmtojnë imazhit sportit më të dashur nga kosovarët. 

Të dielën e kaluar u raportua dhe u publikua një video ku shihen tifozët e skuadrës së KF Bashkimit nga Koretini duke tentuar ta sulmojnë gjyqtarin kryesor të ndeshjes Bajram Gashi.

Dënimi për KF Bashkimin ka ardhur për lojtarin Patriot Fazliu i cili është pezulluar pa të drejte loje për të gjitha ndeshjet zyrtare të Futbollit të Kosovës deri në kompletimin e lëndës dhe vendimin përfundimtar të komisionit. Gjithashtu nga komisioni disiplinor kërkohet deklarata plotësuese nga ana e lojtarit.

Fazliu sipas komisionit displinor është denuar për arsye se ka bërë nxitje dhe shtyrje të tifozërisë nikoqire për të sulmuar zyrtarët e takimit pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet Bashkimit dhe Besës.

Po ashtu edhe lojtari Altin Basha është dënuar me tri ndeshje mos lojë pasi është dënuar me karton të kuq të dielën.

Dukagjin Zefi nga Komisioni Displinor thotë se duhet të kompletohet komplet lënda për të dhënë një konstatim të plotë. Ai shtoi se janë duke pritur deklaratat shtesë nga KF Bashkimi, vëzhguesi i ndeshjes  dhe referi Bajram Gashi.