Jakup Krasniqi- Ish kryeparlamentar

Krasniqi: Nuk ka rezolutë më të fuqishme se sa Kushtetuta e Kosovës

Ish kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, në një diskutim të mbajtur në Prishtinë, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë rreth dialogut dhe bisedimeve me Serbinë.

Krasniqi tha se Kuvendi ka tentuar të nxjerrë rezolutë për ta ndaluar presidentin në bisedimet me Serbinë, por sipas tij rezolutë më të fuqishme se Kushtetuta nuk ka.

‘’Parlamenti i Kosovës është përpjekur ta nxjerrë një rezolutë për dialogun me Serbinë për ta ndaluar presidentin, por unë konsideroj që nuk ka rezolutë më të fuqishme se sa Kushtetuta e Kosovës e cila e përcakton sovranitetin dhe tërësinë territoriale të saj dhe kushdo që merr guximin të bisedojë për sovranitetin e këtij vendi është një ndeshje e fuqishme me atë që e përcakton dhe e thekson Kushtetuta’’, ka deklaruar Krasniqi.

Ai gjithashtu tha se dialogu me Serbinë nga dialog teknik ka rrëshqitur në dialog politik, e kjo sipas tij është në dëm të qytetarëve të Kosovës.

‘’Konsideroj se Kosova nuk duhej t’i fillonte bisedimet politike sepse dy qeveritë duhet të angazhohen për përmirësimin e jetës së qytetarëve në Serbi dhe në Kosovë. Por megjithatë bisedimet rrëshqitën nga ato teknike në bisedime politike’’, përfundoi Krasniqi.