Këshilli Prokurorial i Kosovës - Foto: KPK

KPK Kërkon mbi 3 Milionë Euro më Shumë Buxhet

Kryesuesi i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel i KPK-së, Zejnulla Gashi, paraqiti propozimin për rritjen e buxhetit të Këshillit Prokurorial për mbi 3 milionë euro.

“Rritja e tillë është e domosdoshme për funksionimin e Këshillit Prokurorial pasi që kemi nevojë për mjete shtesë në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, mallrave dhe shërbimeve si dhe për investime kapitale”, tha Gashi.

Ai tha se te personeli shtesë kanë nevoje për bashkëpunëtorë profesionalë, personel shtesë në radhët e përkthyesve, personel shtesë për kompletimin e kabinetit të kryeprokurorit si dhe për plotësimin e personelit të stafit të mbrojtjes së viktimave.

Ndërsa, drejtori i Sekretariatit Lavdim Krasniqi e trajtoi më hollësisht këtë kërkesë.

“Për vitin 2018 të parapara janë mbi 8 milionë euro për paga e mëditje të personelit, 2.7 milionë euro për mallra dhe shërbime, mbi 200 mijë euro për shërbime komunale si dhe mbi 2 milionë euro për investime kapitale, pra në total nevojiten 13 milionë e 600 mijë euro”, tha Krasniqi.