Foto: Blerim Vela/ Twitter

Strategjia e re kundër terrorizmit parasheh edhe trajtimin e formave të tjera të ekstremizmit të dhunshëm

Kosova tashmë e ka të miratuar Strategjinë e re për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit , strategji kjo e cila do të vlejë deri në vitin 2028.

Në kuadër të kësaj strategjie është miratuar edhe plani i veprimit për vitet 2023-2025. Vendimi për këtë strategji u bë më datë 29 qershor dhe u nënshkrua nga kryeministri Albin Kurti.

Duke u bazuar në vlerësimet e kryera, trendet rajonale dhe globale, strategjia e re bazohet në katër objektiva strategjike të cilat janë; parandalimi, mbrojtja, ndjekja dhe reagimi.

Si është situata në Kosovë në lidhje me parandalimin dhe luftimin e terrorizmit?

Në bazë të strategjisë së miratuar, Kosova përveç që sfidohet me forma të tjera të aktiviteteve terroriste dhe edhe ajo me motive nacionaliste dhe politike, gjithashtu edhe me tendenca për të ndërhyrë në rendin kushtetues të Kosovës nga shtetet jomiqësore, vendi përballet edhe me terrorizmin me motive fetare.

Ndonëse format e terrorizmit tashmë kanë pësuar ndryshime, strategjia thotë se institucionet kanë ndërmarrë veprime si në aspektin e rregullimit ligjor e institucional, ashtu edhe në punën me komunitetin për të zhvilluar një qasje bashkëpunuese për t’u kundërvu ndaj këtyre ideologjive dhe narrativave që përhapen nga grupet, lëvizjet apo organizatat terroriste.

Strategjia ka paraparë që kohëve të fundit, rreziku nga radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm me motive fetare që shpie në terrorizëm është në ulje, ndërkohë që rreziku nga aktivitetet dhe sulmet eventuale me elemente të radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit me motive politike apo nacionaliste është në rritje.

Kjo situatë është vlerësuar të jetë veçanërisht në veri të vendit, përmes sulmeve ndaj policisë, barrikadave, krimit dhe mbajtjes së organizatave ilegale si dhe të armatosura me qëllim përdorimin e tyre për kundërvënie të dhunshme dhe sulme ndaj policisë dhe institucioneve të tjera.

Çka ndryshoi ndër vite në ligjin për dënimin e veprimtarive që ndërlidhen me terrorizëm?

Kosova u përball me shkuarjen e më shumë se 400 qytetarëve në vatrat e luftës në Siri e Irak.

Në vitin 2015 Kosova miratoi ligjin për ndalimin e përfshirjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës.

Për gati më shumë se 7 vite, në Kosovë janë trajtuar e gjykuar dhe këto po vazhdojnë edhe sot.

Gjatë rishikimit të Kodit Penal në vitin 2018 është futur edhe një vepër e re penale për këtë çështje. Neni 137 i Kodit Penal parasheh veprën penale të udhëtimit për qëllime terrorizmi.

Gjithashtu në fund të vitit 2022 është miratuar edhe një ligj i ri për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të synuara për të prezantuar zhvillimet dhe standardet më të fundit ndërkombëtare për këtë fushë.

Tutje sipas strategjisë, për avancimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale, është themeluar edhe një strukturë e re për ngritje të kapaciteteve për të iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme nga terrorizmi.

Deri më tani vetëm një komunë e ka të funksionalizuar Mekanizmin Referues, ai i Hanit të Elezit.

Për funksionalizim të Mekanizmit Referues parashihet që deri në vitin 2025 të kenë 3 komuna këtë mekanizëm ndërsa deri në vitin 2028 parashihen së paku 6 komuna. Ky Mekanizëm Referues parashihet të ketë përfshirje dhe rol në nivelin lokal në parandalim, përmes krijimit të ekipeve referuese në nivelin lokal dhe ngritjes së kapaciteteve të tyre.

Në Strategji për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit janë të përfshira një mori institucionesh të cilët kanë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre gjithsecila.

Strategjia e re për parandalim dhe luftim të terrorizmit u miratua gati 2 vite që nga përfundimi i strategjisë së kaluar.

BIRN mbështetur nga projekti i GCERF ka marë pjesë aktive në të gjitha fazat e hartimit të strategjisë së re dhe planit të veprimit duke ofruar rekomandime konkrete të cilat janë bërë pjesë e strategjisë dhe planit të veprimit.

KALLXO.com pati raportuar në vazhdimësi për problemet që mund të shkaktonte mungesa e një strategjie në të cilën do të bazohej plani i punës së institucioneve të cilat janë drejtpërdrejt të kyçura në trajtim, identifikim dhe zbulim të rasteve që ndërlidhen me terrorizëm.

Procesi i ri-integrimit dhe rehabilitimit për institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, ka qenë fenomen i ri me të cilin është përballur Kosova, fillimisht disa vite më parë. Trajtimi i të rikthyerve nga zonat e konfliktit, ata që janë të dënuar për ekstremizëm dhe terrorizëm, rehabilitimi dhe ri-integrimi i tyre mbetet ende sfidë për shumë institucione në Kosovë, specifikisht edhe për Shërbimin Sprovues.

Hulumtimet e KALLXO.com kanë treguar se mungesa e vizionit të prokurorëve e gjykatësve të cilët i kanë trajtuar rastet e personave të kthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak llogaritet të ketë krijuar një pasojë sistematike në procesin e risocializimit të tyre.

Në shumicën e rasteve prokurorët nuk u kujdesën që të kërkonin nga gjykata shqiptimin e dënimeve të cilat përpos burgut i obligojnë të rikthyerit t’i ndjekin programet e risocializimit dhe ri-integrimit.

Mbi 100 persona të arrestuar me akuzat për terrorizëm dhe pjesëmarrjet në luftërat e huaja u burgosën në Kosovë dhe zotimi i institucioneve ishte që të njëjtit do kalonin në programe rehabilitimi dhe ri-socializimi.

Një hulumtim i realizuar nga BIRN tregon se programi brenda burgjeve ka hasur në problem pasi të dënuarit nuk pranuan t’i ndjekin programet.  Si rrjedhojë një pjesë e tyre u liruan nga burgu pa ndjekur asnjë program.

Në të njëjtin hulumtim BIRN ka shpjeguar edhe qasjen e institucioneve ndaj strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Të dhënat tregojnë që mbi 63% e të dënuarve refuzuan programet e ri-socializimit brenda burgjeve ndërsa gjykatësit kur shqiptuan dënimet nuk u kujdesën që të kushtëzonin lirimin e të burgosurve me ndjekjen e programeve të risocializimit.

Sipas kodit penal, gjykata mund të obligoj të dënuarit të ndjekin programe të caktuara përfshirë ato të edukimit dhe kjo bazë ligjore është përdorur vetëm në rastet e dënimit të grave të rikthyera të cilat mbajnë dënime të kushtëzuara për t’i ndjekur programet.

Operacionet e arrestimeve për terrorizëm nisën në vitin 2014 dhe në atëkohë nuk ishte menduar se si do rridhte procesi I risocializimit.

Tutje KALLXO.com kishte raportuar edhe se si të dhënat e siguruara nga Shërbimi Korrektues i Kosovës tregojnë se 61% e të dënuarve janë liruar nga burgu pa qenë pjesë e programeve të aftësimit profesional.

Në statistika tregohet se vetëm 28 të dënuar për vepra të terrorizmit kanë ndjekur kurse brenda burgjeve ndërsa 44 të tjerë nuk kanë ndjekur asnjë program.

Një hulumtim të cilin e kishte publikuar KALLXO.com vitin e kaluar tregonte se si më pak se 10 përqind e mësimdhënësve në Kosovë kishin mbajtur seanca informuese se si të arrijnë të identifikojnë sjelljet e dhunës nëpër shkolla të cilat shpijnë në ekstremizëm të dhunshëm dhe terrorizëm.

Nga përqindja doli se nga 23 mijë e 173 mësimdhënës në të gjithë Kosovën, vetëm 2 mijë e 859 prej tyre kanë qenë pjesë e këtyre seancave informuese të cilat janë mbajtur kryesisht nga organizata jo-qeveritare.

Hulumtimi i KALLXO.com tregonte se përveç mungesave të trajnimeve dhe stafit nëpër Qendra për Punë Sociale, komuna të ndryshme, edhe për mësimdhënësit nuk kishte trajnime të mjaftueshme që të trajtojnë ri-integrimin, ri-socializimin dhe shprehitë e dhunës te nxënësit të cilat mund të dërgojnë në ekstremizëm të dhunshëm.

Qindra kosovarë kanë arritur që brenda një periudhe të shkurtë të bëhen pjesë e luftërave të huaja në Siri dhe Irak.

Shkuarjet në emër të Islamit dhe për luftë paqësore ishin arsyet e shumë qytetarëve të cilët ndoqën rrugën nga Kosova, në Turqi e më pas në Irak e Siri. Dhjetëra kosovarë figurojnë si të vdekur në këto luftëra e të tjerë ka që ishin shpallur terrorist.

Kosova, një vend me më pak se 2 milion banorë, u bë vend i njohur në botë për shkak të shkuarjes së shumë qytetarëve në luftërat e huaja si Siri e Irak.

Mbi 400 qytetar kosovarë morën rrugë drejt Sirisë dhe Irakut në emër të islamit për të luftuar ndërsa nuk munguan as thirrjet për të tjerët që kishin mbetur në Kosovë.

Media të shumta ndërkombëtare, tabloide, përshkruan Kosovën si vatër të terrorizmit me fokus në dy komuna, Kaçanik dhe Hani i Elezit.

Deri më tani Kosova është vendi i vetëm në rajon që ka rikthyer në vend numrin më të madh të atyre që u bashkuan në zonat e luftës në Siri e Irak.