Haxhiu pas vendimit të Kushtetueses: Më e rëndësishme për ta është interesi individual i disa anëtarëve të KPK-së

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk është pajtuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila shpalli të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Haxhiu përmes një konference të jashtëzakonshme e ka konsideruar paradoksale pikën e parë të vendimit të Kushtetueses.

Sipas ministres për Gjykatën Kushtetuese më i rëndësishëm është interesi individual, dhe jo interesi i përgjithshëm.

“Së pari është paradoksale për ne se si në pikën e parë të njoftimit Gjykata Kushtetuese thekson se përbërja aktuale e KPPK-së është korporatiste. Por në pikën e fundit të njoftimit thonë se nuk mund t’i ndërpritet anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës mandatit përmes shortit. Pra për Gjykatën Kushtetuese më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së dhe atë jo të gjithëve, por disave, sesa interesi i përgjithshëm” – u shpreh ministrja Haxhiu.

Sipas ministres Haxhiu, injorimi i rekomandimeve nga Komisioni i Venecias për KPK-në është goditje për Republikën e Kosovës.

“Po ashtu sipas njoftimit, delegimi i një anëtar jo-prokuror nga Avokati i Popullit është gjetur jo kushtetues dhe kjo është tërësisht befasuese për ne. Duke marrë parasysh që vetë komisioni i Venecias në opinionet e tij ka sugjeruar që një numër i caktuar i anëtarëve jo-prokuror mund të rezervohen për përfaqësuesit të institucioneve të jashtme që janë të pavarura dhe kanë përmendur në veçanti Avokatin e Popullit” – ka thënë ajo.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë, të ushtruar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.

Kushtetuesja ka konstatuar se disa nene të këtij Ligji nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas vendimit të Gjykatës, Ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e Këshillit Prokurorial dhe e nenit për të Drejtën për Mjete Juridike.

“Aktgjykimi sqaron që kërkesat e parashtruesve të kërkesës janë parashtruar në Gjykatë bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe se kjo kategori e kërkesave ka karakter suspenziv, përkatësisht ligji i tillë mund t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje vetëm pas vendimmarrjes së Gjykatës dhe në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës për rastin e kontestuar.”- thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ligji për KPK-në u miratua në lexim të parë në prill të vitit të kaluar, ndërkaq në lexim të dytë në qershor të vitit të kaluar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kishte paraqitur para deputetëve të Kuvendit Projektligjin për KPK-në seancën e 7 prillit.

Ajo ka thënë se me miratimin e plotësim-ndryshimeve të reja, ky Këshill do të ketë përbërje të re

“Këshilli Prokurorial i Kosovës do të ketë një përbërje të re, me prokurorë dhe joprokurorë. Por, proporcioni, apo dallimi në numra në mes të anëtarëve prokurorë dhe atyre joprokurorë do të jetë një. Fillimisht përbërja e re do të ketë dy anëtarë nga prokuroritë themelore, qoftë nga Prokuroria e Apelit apo Speciale dhe Kryeprokurorin e Shtetit sipas detyrës zyrtare. Ashtu siç e thonë Kushtetuta, Kuvendi pas këtij plotësim ndryshimi ka të drejtë të zgjedhë dy anëtarë joprokurorë, ndërsa risia kryesore është caktimi i një antari të ri nga Avokati i Populllit në konsultim me organizatat civile”-  kishte shpjeguar Haxhiu.

Ajo kishte kritikuar përbërjen aktuale të Këshillit Prokurorial, për të cilin ajo tha se ka qenë i ndikuar nga grupet e interesit dhe politika.

Haxhiu pati thënë se për Projektligjin në atë kohë ka marrë dy opinione pozitive nga Komisioni i Venecias.

Mirëpo dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Lidhja Demokratike e Kosovës në korrik të 2022-tës kanë dërguar për vlerësim të kushtetutshmërisë Ligjin për Këshillin Prokurorial.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se Ligji për KPK-në cenon pavarësinë e sistemit prokurorial.

Edhe LDK-ja vlerësonte se amendamentet e Ligjit për Këshillin Prokurorial janë në kundërshtim ne frymën kushtetuese.

Kushtetuesja rrëzon Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës