Anëtari i Këshillit Prokurorial e quan Kryeprokuror të Shtetit Isufajn edhe pse ende s`ka dekret nga Presidentja

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj gjatë ditës së djeshme ka publikuar një fotografi me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ndërsa të njëjtën e ka përcjellë me një mbishkrim.

“Me Kryeprokurorin e R. së Kosovës z.Blerim Isufaj. Vizitë zyrtare në Oslo”- është përshkrimi i fotografisë së publikuar nga Hajdaraj në rrjetin social Facebook gjatë ditës së djeshme.

Blerim Isufaj është kandidati i propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit.

Në prill të këtij viti Isufaj u nominua për Kryeprokuror të ri të Shtetit ndërsa për të votuan 11 anëtarë.

Propozimi i KPK-së është dërguar për dekretim te Presidentja Vjosa Osmani.

Fotografia e publikuar nga anëtari i KPK-së, Ardian Hajdaraj me datë 11.10.2022/ Foto: Facebook

Deri më tani nuk ka një vendim të prerë në lidhje me rastin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe nominimin e Isufajt në këtë pozitë.

Aktualisht Prokuroria e Shtetit është duke funksionuar me ushtrues detyre dhe në këtë pozitë është vendosur Besim Kelmendi.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Këshilli Prokurorial lidhur me postimin e Hajdarajt.

KPK në përgjigjen për KALLXO.com ka thënë se Hajdaraj e ka publikuar fotografinë në rrjetin personal të tij.

“E nderuar, anëtari i KPK-se, prokurori Ardian Hajdaraj e ka publikuar një fotografi në rrjetin personal Facebook. Ne si Këshill nuk komentojmë fotografitë dhe përshkrimet në rrjetet sociale private të z. Hajdaraj”- thuhet në përgjigjen e KPK-së.

KPK tutje thotë se qëndrojnë prapë propozimit të tyre për Kryeprokurorin e ri të Shtetit të dërguar te presidentja për dekretim.

Përveç postimit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, anëtari i KPK-së Ardian Hajdaraj ka shpërndarë fotografi edhe me anëtarë e prokurorë të tjerë të Kosovës gjatë vizitës zyrtare që janë duke e zhvilluar në Oslo.

Fotografia e publikuar nga anëtari i KPK-së, Ardian Hajdaraj me datë 11.10.2022/ Foto: Facebook

Gjatë ditës së djeshme Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar se janë duke zhvilluar një vizitë në Gjykatën e Qarkut në Oslo të Norvegjisë së bashku me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor e Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo vizitë sipas njoftimi është duke u zhvilluar qëllim të përfitimit nga shkëmbimit të përvojave dhe të praktikave të mira, sidomos nga ato  që ndërlidhen me menaxhimin e shërbimeve të teknologjisë informative në fushën e drejtësisë, përfshirë edhe statistikat, analizat dhe përdorimin e informacionit, i cili ndikon në fuqizimin dhe avancimin e SMIL-it, përshkrimin e modeleve të operimit, mirëmbajtjen dhe modelet konkrete të financimit të tij, të cilat nevojiten për të mbajtur të përditësuar infrastrukturën thelbësore.

KPK e propozon Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit – VIDEO