KPK-ja thotë se Kuvendi bëri shkelje ligjore me shkarkimin e Agron Bekës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka quajtur të paligjshëm shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar sot Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Pro shkarkimit të tij nga kjo pozitë kanë votuar 62 deputetë.

“KPK-ja konstaton me shqetësim të thellë ndaj se me rastin e shkarkimit të Prof. Dr. Agron Bekës nga pozita e anëtarit joprokuror të KPK-së, instanca më e lartë legjislative siç është Kuvendi i Kosovës ka bërë shkelje  ligjore, sepse institucioni i vetëm kompetent në bazë të legjislacionit në fuqi,  për t’i shqyrtuar shkeljet eventuale të anëtarëve është Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe mekanizmat e tij”- thuhet në njoftimin e Këshillit.

KPK thotë se do të përdorë të gjithë mekanizmat kushtetues dhe ligjorë për ta kontestuar vendimin për shkarkimin e Bekës.

Vendimin e sotëm të Kuvendit për shkarkimin e Agron Bekës KPK-ja e quan tentativë politike për të ndërhyrë në përbërjen aktuale të anëtarëve të këtij trupi, siç thuhet më tej në njoftim, duke krijuar para opinionit publik një pasqyrë të rreme faktesh dhe argumentesh, me synimin e vetëm për të penguar funksionimin normal të këtij organi të pavarur kushtetues dhe ligjor.

Kjo ndërhyrje për KPK-në është cenim i funksionimit të rregullt të saj.

KPK-së thotë Beka ka ofruar mjaft prova, duke demantuar plotësisht pretendimet e pabaza që dërguan deri te ky shkarkim joligjor.

“Andaj Këshilli Prokurorial i Kosovës, përmes këtij reagimi publik, bënë me dije përfundimisht se të gjitha insinuatat e partisë politike në pushtet janë shpifje, fyerje dhe keqpërdorim i besimit qytetar. Kjo vërtetohet me vendimin e sotëm për shkarkimin e z.Beka, pa pasur asnjë argument ligjor, por vetëm me qëllim të denigrimit të figurës së tij dhe me qëllim të realizimit të interesave të tyre politike dhe krejt kjo pas gjashtë tentimeve për ta vënë në rend dite”- thuhet më tej njoftim.

KPK-ja vlerëson se Beka gjatë angazhimit të tij në KPK nuk ka pasur asnjë vërejtje e asnjë shkelje dhe aq më pak procedurë gjatë punës së tij.

Sipas KPK-së, Beka ka vepruar në kuadër të autorizimeve të veta si anëtar i Këshillit Prokurorial dhe këtë vlerësim nuk mund ta bëjë askush tjetër përpos organit ku punon dhe vepron.

KPK thotë se shkarkimi i tij është një dëshmi e pamohueshme se po tentohet të merret nën kontroll institucioni më i rëndësishëm kushtetues, i cili, siç thuhet më tej në njoftim, është themel për ta ruajtur sigurinë juridike në këtë vend.

Kuvendi e shkarkon Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

www.kallxo.com