Konjufca: Marrëveshjet në Kuvend Sjellin Radikalizim

Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes” Glauk Konjufca në një intervistë për KALLXO.com tregoi arsyet e kthimit të këtij subjekti opozitar në Kuvend.

“Bojkotimi i Kuvendit ka filluar të bëhet kundërproduktiv. Duke mos pasur demonstrata jashtë dhe duke mos qenë në Kuvend, mendoj që po i krijohet hapësirë shumë komode pushtetit që me i çu përpara vendimet pa presionin e opozitës dhe pa kontrollin opozitar,” tha Konjufca.

“Vetëvendosja” dje në një konferencë për shtyp njoftoi kthimin e saj në Kuvend, pas bojkotimit për gati 3 muaj të punës së legjislativit.

http://kallxo.com/vetevendosje-vendos-te-kthehet-ne-kuvend/

Konjufca paralajmëroi radikalizim të veprimeve përtej përdorimit të gazit lotsjellës nëse marrëveshjet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi shkojnë në Kuvend.

“Nëse pushteti tenton t’i kontrabandojë këto 2 tema brenda Kuvendit të Kosovës, atëherë ne vetëm i garantojmë ata që do të radikalizohemi edhe më shumë se që kemi qenë radikalë prej shtatorit të vitit të kaluar,” tha Konjufca.

Megjithatë, Konjufca nuk tregoi asnjërën nga metodat radikale që VV-ja mund të përdorë.

Konjufca foli edhe për deklaratat e disa deputetëve të partive në pushtet që kanë paralajmëruar votë kundër demarkacionit.

“Nuk po insistoj, këto deklarata janë definitivisht relative deri në ditën e fundit. Varet  personi se çfarë integriteti personal ka, se çfarë dinjeti ka dhe çfarë pavarësie ka në raport me liderin dhe strukturat partiake të cilat mund t’i ushtrojnë trysni që të pranojë vendime përkundër vullnetit të vet,” deklaroi Konjufca.

Ai si shembull të ndryshimit të qëndrimeve të deputetëve mori votimin e tyre për zgjedhjen e Hashim Thaçit President dhe miratimin e themelimit të Gjykatës Speciale.

Ndryshimet kushtetuese që mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale u miratuan me 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim më 3 gusht të vitit të kaluar, ndërsa Hashim Thaçi u zgjodh President më 26 shkurt të këtij viti me 71 vota për.

http://kallxo.com/miratohet-gjykata-speciale/

http://kallxo.com/live-zgjedhja-e-presidentit/

KALLXO.com botoi sot një analizë në lidhje me votat e mundshme për dhe kundër marrëveshjes aktuale të demarkacionit.

Votat e Pasigurta të Pozitës për Demarkacionin