Komuna e Shtimes Reagon Ndaj Akuzave të Asamblistit

Komuna e Shtimes ka reaguar ndaj lajmit të publikuar në KALLXO.com me titull: “Asamblisti i Shtimes Pretendon se u Kërcënua nga Kryetari i Komunës”.

Në reagimin e Komunës thuhet se lajmi i publikuar “është plotësisht i pasaktë, i pavërtetë dhe me tendenca e motive politike nga këshilltari i Kuvendit të Komunës nga radhët e partisë politike LVV në Shtime”.

Më tej në reagim thuhet se lidhur me pretendimet e asamblistit ka dëshmitarë, të cilët do ta demantojnë atë.

http://kallxo.com/asamblisti-shtimes-pretendon-se-u-kercenua-nga-kryetari-komunes/

Në vazhdim e gjeni reagimin e plotë dhe pa ndërhyrje të Komunës së Shtimes:

DEMANTIM NDAJ SHKRIMIT NË KALLXO.COM  “Asambleisti i Shtimes Pretendon se u Kërcënua nga Kryetari i Komunës”

Shtime, 3 tetor 2016

Njoftoj opinion e gjerë dhe mediat, se shkrimi “Asambleisti i Shtimes Pretendon se u kërcënua nga Kryetari i Komunës” të datës 3.10.2016, i publikuar në mediat elektronike, është plotësisht i pasaktë, i pavërtetë dhe me tendenca e motive politike nga këshilltari i Kuvendit të Komunës nga radhët e Partisë Politike LVV në Shtime, i cili në vazhdimësi ka shpifur dhe kjo është vazhdë e shpifjeve që ka partia opozitare ndaj strukturave udhëheqësve institucional dhe përfaqësuesve të zgjedhur të popullit.

Ky sulm i tij vie pas një suksesit tonë dhe qytetarëve të komunës së Shtimes, të cilit i pengon suksesi, ndërsa për pretendimet e tij ka dëshmitarë të cilët do ta demantojnë këtë.

Me këtë rast i bëj thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë rastin deri në fund dhe të japin mendimin e tyre të pavarur dhe profesional.

Reagimi bëhet me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve dhe të mos krijohet opinion i pavërtetë.