Komuna e Prishtinës me kabinete për nxënësit me nevoja të veçanta

Komuna e Prishtinës sot ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim – IOM.

Nga projekti i organizatës IOM dhe Komunës së Prishtinës do të përfitojnë nxënësit me nevoja të veçanta të shkollës “Ismail Qemali” dhe asaj “Elena Gjika”.

“Falë bashkëpunimit të shkëlqyer në realizimin e shumë projekteve të cilat kanë qenë pjesë e Planit Zhvillimor strategjik të Komunës, Komuna e Prishtinës dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim – IOM, sot kanë nënshkruar edhe një Marrëveshje të radhës. Kjo Marrëveshje Bashkëpunimi ka të bëjë me zbatimin e projektit për kabinetet e lëndëve shkencore në shkollën “Ismail Qemali”, ku vijojnë mësimin 2904 nxënës, 48 prej të cilëve janë me nevoja të veçanta; si dhe në shkollën “Elena Gjika”, ku vijojnë mësimin 1600 nxënës shqiptarë dhe turq”, thuhet në komunikatë.

Këto kabinete do të jenë për lëndët shkencore Kimi, Fizikë, Biologji dhe Informatikë, dhe brenda këtij projekti është edhe furnizimi me mjete konkretizuese të nevojshme për mësimnxënien e fëmijëve me nevoja të veçanta në shkollat e Komunës së Prishtinës.