Kompleksi Memorial i jasharajve në Prekaz. I Foto: Facebook

Kompleksi i Jasharajve në Prekaz Rrezikon të Mbetet pa Rrymë

Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale ka nevojë për më shumë mbështetje financiare dhe staf punues, tha drejtori i kësaj Agjencie, Idriz Blakaj, gjatë prezantimit të raportit vjetor para Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor.

“Qe dy vite auditori gjeneral na kërkon që të kemi strategjinë dhe nuk e kemi dhe për shkak të mungesës së kuadrove për ta bërë strategjinë. Ne patëm ndarë 200 mijë euro buxhet me punu strategjinë mirëpo Ministria e Financave nuk na i liroi mjetet sepse ka problem me buxhet edhe për këtë vit nuk na janë ndarë mjetet për strategji”, tha Blakaj.

Ai tha se gjatë vitit 2015 është bërë mirëmbajtja e kompleksit memorial në Prekaz dhe mirëmbajtja e ëeb faqes së Agjencisë ndërsa tha se punët në komplekset memoriale në Koshare e Marinë vazhdojnë edhe këtë vit.

Blakaj tha se janë ndarë 200 mijë euro për punimin e shtatores së William Walker në Reçak dhe për disa komplekse të tjera memoriale ndërsa shprehu shqetësimin se janë të kërcënuar nga KEDS-i për shkëputjen e rrymës në Prekaz pasi që nuk janë bërë pagesat.

“Ne i kemi të ndara 9 mijë e 250 euro për shërbime e mallëra e neve vitin e kaluar na u kanë dashtë 28 mijë e 500 euro për të mbuluar shpenzimet kemi bërë kërkesë por prapë Ministria na i ka ndarë të njejtat” tha ai.

Blakaj i kërkoi komisionit që e ka formuar këtë Agjenci që të kompletohet stafi që të ketë më shumë ciceronë nëpër komplekse memoriale sepse disa prej tyre nuk kanë fare një të tillë.

Adem Salihaj, anëtar i komisionit nga LDK tha se ciceronët janë të mirëseardhur në çdo kompleks memorial .

Ndërsa për mungesën e stafit ai shprehu përshtypjen e tij për këtë Agjenci.

“Te puna e stafit është përshtypja se kryesisht jeni krejt shefa e punëtorë hiq”, tha Salihaj.

Gjatë diskutimit u propozua edhe vendosja e një pagesës për të hyrë nëpër këto komplekse në mënyrë që të krijohen të hyra por deputeti i pavarur Shaip Muja tha se në këto monumente nuk bënë të hyhet me bileta.

Komisioni përkrahu kërkesat e Blakajt dhe pranoi raportin e Agjencisë për vitin 2015 me të gjitha objektivat për vitin 2016.

Agjencia është organ i pavarur për projektimin, ndërtimin, administrimin dhe menaxhimin e Komplekseve Memoriale.