Foto: Denis Sllovinja

26 vjet nga sulmi i dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz

Sot shënohet 26-vjetori i sulmit të dytë nga forcat serbe mbi familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt.

Më 22 janar 1998 në Prekaz kishte pasur luftime në mes familjes Jashari në njërën anë dhe forcave serbe në anën tjetër.

Ky njihet si sulmi i dytë ndaj Kullës së Jasharajve, pas atij të parit në dhjetor të 1997-ës.

Atë ditë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

Plagë kishin marrë disa anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës që shfaqën ndaj sulmit, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen.

Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998.

Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.