Foto: Nikolla Sandulloviq/X

Avokati serb: Torturohet nga BIA politikani që shprehu keqardhje për vrasjen e familjes Jashari

Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka treguar se nga bashkëshortja e politikanit opozitar Nikolla Sanduloviq është njoftuar njerëz të shërbimit të sigurimit (BIA) ia kanë marrë burrin ndërmjet orës 16:00 dhe 20:00 dhe se gjatë kësaj kohe e kanë rrahur dhe kanë përdorur dhunë brutale.

Një ambulancë e ka dërguar Sanduloviqin në shtëpi.

Fotografitë e publikuara nga avokati Stojkoviq e tregojnë politikanin opozitar të rrahur dhe të shtrirë në barelë.

Nikolla Sanduloviq, sipas avokatit Stojkoviq, është ndaluar nga BIA “vetëm një ditë pasi ai në rrjetin social “X” kishte publikuar një postim, duke kërkuar falje për vrasjen e 50 anëtarëve të familjes shqiptare Jashari të Kosovës më 1998” dhe “vetëm 1 minutë pasi mediat e regjimit filluan fushatë të orkestruar kundër tij për atë postim”.

Sipas avokatit, ajo që ndodhi me Sanduloviqin është skenar i njëjtë me atë që bënte Sllobodan Millosheviq, ministër i të cilit ka qenë presidenti aktual Aleksandar Vuçiq.

 

Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputetja britanike, Alicia Kearns.

Ajo tha se është e shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e politikanit serb pas raportimeve se ai është rrahur në mënyrë brutale nga shërbimi sekret serb.

Ajo ka kritikuar sjelljen e butë të Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe BE-së ndaj Aleksandar Vuçiqit.

“Sjellja e butë ka pasoja” – ka shtuar ajo.