Vajza e Nikola Sanduloviqit bën homazhe në Prekaz

Në Prekaz sot sërish pati kërkim-falje. Klara Sanduloviq, e bija e politikanit serb, Nikola Sanduloviq, erdhi nga Beogradi dhe, ashtu si babai i saj javë më parë, bëri homazhe në kompleksin përkujtimor në Drenicë.

Ajo tha se babai i saj, kryetar i Partisë Republikane, i cili më pas u rrah nga shteti serb, është i vetmi politikan në Serbi që promovon paqen dhe prosperitetin, dhe se politika e tij bazohet në falje.

Pas këtij gjesti, Sanduloviq tha se tash pret reagimin e Qeverisë së Serbisë për veprimin e saj.

Klara Sanduloviq erdhi për të nderuar të rënët në Prekaz, pavarësisht se i ati i saj, Nikola Sanduloviq, kryetar i Partisë Republikanë Serbe, u arrestua dhe u rrah nga shteti serb, pikërisht se kishte bërë homazhe pranë varreve të Jasharëve.

Kurorën me lule e mbishkrimin “Të respektojmë që të mos përsëritet më”- Sanduloviq e vuri mbi varrin e anëtares më të vogël të Jasharëve, Blerinës, e cila ishte 6 vjeç kur u vra nga paramilitarët serbë.

Klara Sanduloviq tha se babai i saj është i vetmi politikan që promovon paqe dhe se politika e tij ka këtë synim, falje dhe paqe.

“Vitin e kaluar ai erdhi këtu për të shprehur ngushëllime për të gjitha viktimat e pafajshme që u vranë gjatë luftës në këtë vend. Ky ishte një akt shumë paqësor dhe qeveria serbe arriti në përfundim se ky ishte krim dhe kjo ishte gjuhë e urrejtjes. Kështu që edhe unë vendosa të bëhesha kriminel, njësoj si babai im duke ardhur këtu të shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha viktimat. Po ashtu, t’ia shprehë brezit tim se ne duhet ndaluar urrejtjen dhe të falim njëri-tjetrin. Gjithashtu duhet të kërkojmë falje dhe gjëra të tilla të mos përsëriten dhe asnjë fëmijë të mos vritet në të ardhmen”- ka thënë Klara Sanduloviq, e bija e politikanit serb Nikola Sanduloviq.

E pyetur nëse është e frikësuar nga ajo që i ndodhi babait të saj pas vizitës në Prekaz, Klara Sanduloviq e pohoi një gjë të tillë, derisa shtoi se tani pret reagimet nga qeveria serbe.

Ndërkaq nënkryetari i Partisë Republikane në Serbi, Mihajlo Todiq, derisa përsëriti kërkimfaljen e Sanduloviqit, tha se duhet të ndodhë pajtimi mes popujve të Ballkanit Perëndimor dhe të vazhdohet drejt së ardhmes.

“Ndiej keqardhje të thellë për secilën viktimë të pafajshme të cilitdo popull, besimi apo orientimi politik dhe lutemi që me kërkimfaljen tonë të gjithë të jenë më të mëdhenj, sesa kryerësit e së keqes që na ka poshtëruar. Jemi të vetëdijshëm që me akuzat e ndërsjella, me manipulimin e së vërtetës historike, me interpretimin e ngjarjeve të luftës për qëllime ditore politike, me ofendime dhe me poshtërime shkaku i përkatësisë kombëtare apo fetare, bëhemi të burgosur të së shkuarës dhe humbës të së tanishmes”- ka thënë Mihajlo Todiq.

Ditë më parë, politikani serb, Nikola Sanduloviq, u arrestua dhe u rrah nga shërbimi informativ i Serbisë, pasi kishte bërë homazhe në Prekaz. Këtë e pohoi edhe Aleksandër Vulin, ish-shef i BIA-s.

Në fletarrestimin e tij thuhet se ai ka nxitur urrejtje kombëtare dhe racore e fetare. rtklive