Foto: ZKM

Albin Kurti: Prekazi me Epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas ceremonisë shtetërore të ngritjes së flamurit dhe homazheve në “Sheshin e Flamurit” në Vlorë, në shënim të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ka bërë homazhe edhe në Prekaz, te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Kurti duke kujtuar flijimin, sakrificën dhe çmimin për lirinë të cilën e gëzojmë, tha se Prekazi me Epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare.

“Prekazi me Epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare dhe këtu ne e kuptojmë se sa i lartë ka qenë flijimi, sakrifica, çmimi për lirinë, të cilën e gëzojmë e ndaj të cilës duhet të sillemi me përgjegjësi institucionale e qytetare”- ka thënë Kurti sipas një komunikate për media.

Më tej, kryeministri Kurti është shprehur se për çdo 28 Nëntor kujtohet dhe përkujtohet jo vetëm Skënderbeu në Krujë, flamurin kombëtar dhe çlirimin arbënor nga shekulli XV, jo vetëm Ismail Qemalin në Vlorë dhe pavarësinë e Shqipërisë, por gjithashtu edhe ditëlindjen e kryekomandantit Adem Jashari dhe njëkohësisht shpalljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Lavdi Jasharajve, lavdi Kryekomandantit Adem Jashari, lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”- ka përfunduar Kurti.

Në homazhet në Prekaz, me kryeministrin prezent ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Sot festohet 111-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.