‘Komoditeti’ i Thaçit Shtyu Seancat Ndaj Azem Sylës

Mungesa e mandatit të EULEX-it nga 14 qershori e deri më 29 kur dy ligjet që ndërlidhen me vazhdimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë u shpallën në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, bëri që EULEX të mos mund të ndërmarrë asnjë veprim juridik në seancat e tij.

Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Republikën e Kosovës si dhe Ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë, ndonëse në Kuvendin e Kosovës u votuan më 17 qershor të këtij, nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi u nënshkruan tek më 29 qershor, ku edhe u shpallën në Gazetën Zyrtare të vendit.

Neni 80 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, paragrafi 2 përcakton se “Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë (8) ditësh pasi të ketë marrë ligjin”, në rastin e ligjeve për mandatin e EULEX-it, ligjet në Kuvend kanë kaluar me datë 17 qershor, ndërsa nga Presidenti i vendit janë nënshkruar tek më 29 të muajit të kaluar.

Lidhur me këtë çështje KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe zyrës për informim të Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, por nuk ka pranuar përgjigje.

Gjatë kësaj periudhe të boshllëkut juridik, EULEX pezulloi të gjitha aktivitet e tij lidhur me rastet që po gjykon në Republikën e Kosovës.

Si rrjedhojë, vetëm në rastin e ish-partiakut të Presidentit të tanishëm, Azem Sylës, u shtynë 12 seanca speciale të hetimit të veçantë, të cilat ishin paraparë të mbahen gjatë muajit qershor.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe u shtynë 6 intervista me 22 të pandehur në hetime për krim të organizuar si dhe 7 intervista me dëshmitarë të këtyre rasteve.

Gjithashtu në rastin e Azem Sylës të gjitha seancat janë shtyrë deri më 11 korrik. Këtë lajm për KALLXO.com e konfirmoi avokati i Nuhi Ukës, Tahir Rrecaj.

Edhe avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi, është shprehur i revoltuar me shtyrjen se seancave në rastin e të mbrojturit të tij, duke e cilësuar shkelje të  drejtave të njeriut.

http://kallxo.com/hyjne-ne-fuqi-ligjet-per-mandatin-e-eulex/

Azem Syla dhe një grup prej rreth 50 personash dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal që janë marrë me tjetërsim të pronave shoqërore në Veternik dhe Çagllavicë.

Nuhi Uka, Artan Vila, Hajrullah Berisha, Sabedin Haxhiu, Lubisha Vujoviq, Ilaz Syla dhe Avni Maxhuni ishin arrestuar më 27 prill të këtij viti pas një aksioni masiv të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, ndërsa Azem Syla ishte dorëzuar në polici dy ditë më pas.

Fillimisht ndaj të arrestuarve ishte caktuar paraburgimi në kohëzgjatje prej një muaji, ndërsa më pas me kërkesë të prokurorit ishte vazhduar edhe për tre muaj të tjerë.

http://kallxo.com/eulex-tash-ka-mandat/