Gjykimi ndaj komandantëve të UÇK-se për listat e veteranëve - 14.03.2019 - foto KALLXO.....

Komandatët e UÇK-së deklarohen rreth fajësisë për akuzat e Prokurorisë për 'listat e veteranëve'

Të gjithë të akuzuarit në procesin gjyqësor për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së u deklaruan të pafajshëm kundrejt aktakuzës e cila u vihet në barrë.

I akuzuari Agim Çeku deklaroi se: “Unë e kundërshtoj në tërësi aktakuzën dhe deklarohem tërësisht i pafajshëm.

Njëjtë është deklaruar edhe i akuzuari tjetër Nuredin Lushtaku.

“Për mua është e paqartë aktakuza ndaj meje. Unë jam i pafajshëm”, u deklarua i akuzuari Lushtaku.

Aktakuzën ndaj tij e ka kundërshtuar edhe i akuzuari Sadik Halitjaga.

“E kundërshtoj aktakuzën në tërësi, jam i pafajshëm dhe ndjehem krenar për punën që kam bërë”, u shpreh i akuzuari Halitjaga.

I akuzuari tjetër, deputeti Shkumbin Demalijaj, e quajti aktakuzën të pabazë.

“Aktakuza është e pabazuar dhe e kundërshtoj komplet, e kundërshtoj në tërësi”, u deklaruar i akuzuari Demalijaj.

Edhe i akuzuari Çelë Gashi u deklaruar se: “Nuk e pranoj fajësinë, ndjehem i pafajshëm”.

I akuzuari i radhës, Shukri Buja, po ashtu u deklaruar se: “Jam i pafajshëm dhe e konsideroj aktakuzën si të pabazuar”.

Ministri aktual i Mbrojtjes, i akuzuari Rrustem Berisha, u deklaruar se: “Në tërësi e kundërshtoj aktakuzën dhe e konsideroj vetën të pafajshëm”, tha ministri i akuzuar, Rrustem Berisha.

I akuzuari tjetër, Faik Fazliu, u deklaruar i pafajshëm.

“Në tërësi e kundërshtoj aktakuzën, ndjehem i pafajshëm”, u shpreh Fazliu.

Më i shkurtë në deklarimin e tij rreth fajësisë ishte i akuzuari Smajl Elezaj.

“Jam i pafajshëm”, u shpreh i akuzuari Elezaj.

Njëjtë u deklaruar edhe Fadil Shurdhaj. “E kundërshtoj aktakuzën, jam i pafajshëm”, tha i akuzuari Shurdhaj para trupit gjykues.

Pas deklarimeve të të akuzuarve rreth fajësisë, Gjykata bën pak pauzë për të vazhduar më pas në orën 13, me ç’rast shqyrtimi gjyqësor do të vazhdoj lidhur me propozimin e Prokurorisë për masën e përkohshme për ndalimin e pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Në procesin gjyqësor për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së përkundër kundërshtimit të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre u vendos që të lexohet aktakuza.

Përkundër refuzimit të komandatëve të UÇK-së, gjykata vendos që t`u lexohet akatakuza

 

Në seancën e sotme mungesa e dy të akuzuarve ka bërë që trupi gjykues të veçoj lëndën për dy të akuzuarit të cilët munguan në seancën e sotme në rastin e ‘fryrjes së listave të veteranëve të UÇK-së’.

Kësaj radhe të pranishëm nuk ishin të akuzuarit Ahmet Daku e Xhavit Jashari.

Lidhur me të akuzuarin Xhavit Jashari, gjykatësja e rastit Nushe Kukaj-Mekaj, lajmëroi të pranishmit se i akuzuari ka qenë i ftuar për seancën e sotme sipas procesverbalit nga seanca e kaluar dhe se për të njëjtit person me emrin Ramiz Rama, Gjykatës i ka dorëzuar një shkresë dhe ka kërkuar takim me kryetaren e trupit gjykues, por që  ky takim asnjëherë nuk është bërë për shkak se personi në fjalë asnjëherë nuk është paraqitur në Gjykatë.

Vendimi i fundit i Gjykatës ndaj komandantëve të UÇK-së në rastin e ‘fryrjes së listave të veteranëve’

Aktakuzën ndaj 12 të akuzuarve, anëtarë të Komisionit Qeveritar për përcaktimin e statusit të veteranit, do ta përfaqësojnë dy prokurorë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashi dhe Enver Krasniqi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Një muaj më pas, më saktësisht me 9 tetor, Gjykata e ka kthyer aktakuzën mbrapa duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve.

Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzojë brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata po ashtu ka kërkuar që të qartësohet edhe numri i  personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj është kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

Ndryshim Gjykata ka kërkuar edhe në kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e pagesës së pensioneve për 20 mijë e 238 veteranë luftëtarë deri në përfundim të procedurës penale, gjykatësja e rastit Nushe Kukaj-Mekaj kishte thënë se do të ishte më mirë që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër pasi që sipas saj ekziston rreziku i zvarritjes deri në pakufi të këtij procesi gjyqësor.

Arsyeja e një zvarritjeje të tillë sipas Gjykatës është se nëse lejohet masa e sigurisë vendimi duhet t’u dërgohet 20.238, veteranëve, që janë të prekur nga kjo masë e që kanë të drejtë ankese, për të cilat duhet të vendos kolegji prej tre gjyqtarëve, dhe duke e pasur parasysh numrin e madh të ankesave që do të paraqiteshin, procesi gjyqësor do të zvarritej deri në pakufi.

KALLXO.com raporton se nga momenti i ngritjes së aktakuzës e deri më tani kanë kaluar më tepër se 6 muaj dhe ende nuk është arritur të mbahet shqyrtimi fillestar.

Gjykimi ndaj komandantëve të UÇK-se për listat e veteranëve – 14.03.2019 – foto KALLXO.

 

Gjykimi ndaj komandantëve të UÇK-se për listat e veteranëve – 14.03.2019 – foto KALLXO.

 

Gjykimi ndaj komandantëve të UÇK-se për listat e veteranëve – 14.03.2019 – foto KALLXO.