Rasti i 400 kilogramëve me kokainë në Lipjan, dëshmon asistentja e Departamentit të Importit

Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat për rastin e 400 kilogramëve kokainë që ishin kapur në oborrin e një kompanie private në hyrje të Lipjanit në vitin 2021.

Kokaina kishte qenë e kamufluar në paketim të mishit të pulës në kamionin i cili po e bartte atë.

Në seancën e së mërkurës, më 27.03.2024 u dëgjua në cilësinë e dëshmitares Mimoza Haxha, e cila në kompaninë “Mc Food” kishte mbajtur pozitën e asistentes në Departamentin për Import.

Dëshmitarja u mor në pyetje nga Prokurori Special, Valdet Gashi.

Gjatë dëshmisë së saj, dëshmitarja deklaroi se me negociatat dhe porositë për mallrat që importoheshin përmes transportit detar merrej i akuzuari Faton Vrajolli, drejtori i Departamentit të Importit.

“Me negocimin e mallit dhe të çmimeve merret Fatoni, besoj se çdo herë në konsultim me Izetin” – tha dëshmitarja.

Po ashtu e njëjta foli edhe për mospërputhje të sasisë së mallit me dokumentacionin.

“Kemi pas raste ku sasia e mallit nuk është përputhur me sasinë e shkruar në dokumentacion” – u shpreh dëshmitarja.

Tutje, Prokurori i rastit e pyeti lidhur me një kontenier me prejardhje nga Brazili i cili kishte arritur në kompaninë në fjalë me datë 15.05.2021.

Lidhur me këtë, dëshmitarja tha se sipas një e-mail-i, porosia është bërë nga Faton Vrajolli, porosi kjo e bërë në dhjetor të vitit 2020 nga furnitori nga Brazili. Sipas dëshmitares artikulli që është porositur ka qenë “chicken nuggets”.

“Porosia sipas e-mail-it ka qenë e dërguar nga Faton Vrajolli, drejtor i Importit, ku më ka njoftuar edhe mua, ndoshta kjo pjesa tjetër nuk më kujtohen datat ose si ka qenë komunikimi…Sa më kujtohet porosia ka qenë e bërë në dhjetor të vitit 2020 ka qenë një kontratë e dërguar nga furnitori Seara nga Brazili, artikujt saktësisht nuk më kujtohen por kanë qenë ‘chicken nuggets’” – tha dëshmitarja para gjykatës.

Ndërkaq në kontektsin e kësaj porosie dëshmitarja tha se për sasinë e mallit ka pasur negociata të cilat janë bërë nga i akuzuari Faton Vrajolli.

“Po ka pas negocim në sasinë e mallit për shkak se fillimisht është dërguar një kontratë nga Seara ku më pas është kërkuar nga kompania Seara të ripërpilohet për shkak të sasisë së mallit.” … “Negocimi ose bisedimi i ripërpilimit të kontratës është bërë nga Fatoni, nga drejtori i bordit, me sa më kujtohet ripërpilimi ka qenë kërkesë e Searës për shkak të Covidit” –  shpreh dëshmitarja.

Dëshminë e saj, dëshmitarja do ta vazhdojë në seancën e radhës me datë 11.04.2024.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i kryesuar nga Musa Konxheli dhe me anëtarët Valbona Musliu Selimaj dhe Valon Kurtaj. Ndërkaq aktakuza po përfaqësohet nga Prokurori Special Valdet Gashi.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes bashkëpunimit me persona nga shteti i Brazilit duke shfrytëzuar kompaninë “MC Food” kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e produkteve të pulës së ngrirë, ku në brendi të së cilës është vendosur substance narkotike.

Kjo substancë e llojit kokainë u gjet më 17.05.2021 në sasi prej 400 kilogramësh .

Sipas aktakuzës  gjatë janarit të vitit 2022 në Prishtinë, Morina dhe Hyzri Sheqiri  në bashkëkryerje kanë planifikuar të ndërmarrin veprime konkrete për pengimin e  të provuarit në çështjen penale ndaj Izet Sheqirit dhe të tjerëve për veprën penale pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal si dhe blerje dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.

Sipas pikës tre të aktakuzës Morina dhe Sheqiri me qellim që të ndikojnë në këtë proces kanë planifikuar dhe kanë përdorur metoda specifike për të bërë të pamundur qasjen e organeve të drejtësisë në dëshmitarin bashkëpunues.

Të pandehurit kanë planifikuar që të njëjtin ta largojnë jashtë shtetit të Kosovës në drejtim të njërit nga shtetet fqinje pastaj për ta nxitur që ta ndryshoj dëshminë e dhënë si dëshmitar bashkëpunues.

Tutje të njëjtit kanë shtyrë dëshmitarin bashkëpunues që të realizoj vizita mjekësorë në klinikën e psikiatrisë në QKUK për të konsideruar se gjoja i njëjti është i sëmurë psikik.

Për këto veprime, i pandehuri Hyzri Sheqiri i ka dhënë para në shumë prej 20 mijë euro të pandehurit Naim Morina.

Me këto veprime të pandehurit, sipas aktakuzës kanë kryer veprën penale pengim të provuarit apo procedurës zyrtare.

seancën fillestare të datës 02.06.2023, Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi, Kadri Sheqiri dhe Fehmi Bytyçi nuk e patën pranuar fajësinë për akuzat që u vihen në barrë.