Koci: Sami Lushtakut i Takon Kompensim

Një ditë pasi Gjykata Supreme e Kosovës e tha fjalën e fundit në gjykimin ku Sami Lushtaku akuzohej për krime të luftës, avokati i tij Arianit Koci thotë se Lushtakut duhen t’i shpaguhen vuajtjet që i shkaktoi ky proces.

Lushtaku që ishte arrestuar në maj të vitit 2013 deri më datën 3 korrik kur Gjykata Supreme e Kosovës i dha pafajësinë, pjesën më të madhe të kësaj kohe e kishte kaluar në paraburgim.

Sipas legjislacionit penal në Kosovë, u njihet e drejta e kompensimit të akuzuarve që kanë qëndruar në arrest shtëpiak, paraburgim apo kanë shkuar në vuajtje të dënimit e më pas janë shpallur të pafajshëm.

Avokati i Lushtakut, Arianit Koci në një prononcim për KALLXO.com megjithëse konstaton që Lushtakut asgjë nuk mund t’ia kompensojë 4 vjetët e humbur, thotë se kryetarit të Skenderajt i takon kompensim.

“Burgu është shumë i vështirë kur je i pafajshëm dhe akuzohesh me prova të rrejshme. Sidoqoftë kompensimi ligjor për vuajtjet e shkaktuara me këtë procedim penal të padrejtë i takon Sami Lushtakut. Ne ende nuk e kemi biseduar këtë me Samiun, sepse kemi pasë prioritete të tjera, por kompensimi për dëmin e shkaktuar moral dhe material i takon z. Lushtaku”, tha Koci.

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në maj të vitit 2015 me 12 vjet burg për akuzën e vrasjes.

http://kallxo.com/denohen-sami-lushtaku-e-sylejman-selimi/

Mbrojtja e Lushtakut ishte ankuar në Gjykatën e Apelit e cila e kishte liruar nga akuza e vrasjes dhe e kishte dënuar me 7 vjet burg për përgjegjësi komanduese.

http://kallxo.com/apeli-denon-sami-lushtakun-dhe-sylejman-selimin/

Gjykata Supreme e liroi dy ditë më parë Lushtakun, ndërsa KALLXO.com e siguroi vendimin e Supremes me të cilin Lushtaku u lirua.

http://kallxo.com/vendimi-supremes-per-lirimin-e-sami-lushtakut/

Por edhe pse u lirua nga procesi gjyqësor i njohur si “Drenica 1”, Lushtaku ende është i akuzuar në dy procese tjera të ndara gjyqësore.

http://kallxo.com/edhe-dy-aktakuza-rendojne-mbi-sami-lushtakun/