Urologu Lutfi Dervishi - Foto: KALLXO.com

Kërkohet Paraburgim për Lutfi Dervishin

Seanca e caktimit të masës së sigurisë për urologun Lutfi Dervishi ka përfunduar, ndërsa tash pritet vendimi i gjykatës.

Në seancën e sotme që u mbyll për medie nga gjyqtarja e EULEX-it Maria Tuma, prokurori Charles Hardaway kërkoi paraburgim për të akuzuarin e rastit “Medikus”.

Kërkesën për paraburgim Hardaway e arsyetoi me rrezikun e ikjes së Lutfi Dervishit, po të ndodhej ai në liri.

Urologu Lutfi Dervishi u arrestua dje pas disa muajsh arratie, vetëm disa ditë pasi  Gjykata Supreme e ktheu në rigjykim Rastin “Medikus”, edhe pse dënimet e themelores për këtë rast ishin vërtetuar edhe nga apeli.

http://kallxo.com/supremja-kthen-ne-piken-zero-rastin-medikus/

Valon Hasani, avokati i Lutfi Dervishit arrestimin e të mbrojturit të tij e konsideroi të paligjshëm.

Sipas Hasanit urdhëresa në bazë të së cilës është arrestuar Dervishi, është anuluar nga Gjykata Supreme.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar në vitin 2013 me 8 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën akuzën për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore, ndërsa këtë vendim ia vërtetoi në vitin 2016 edhe Gjykata e Apelit.