
Rasti Medicus - Urologu i akuzuar thotë se s`kishte rekrutuar në asnjë mënyrë klientë për transplant
Pas aktvendimit të Gjykatës që të mbyllet seanca për publikun përreth 30 minuta me qëllim që të bëhet specifikimi i qartë i provave (inter-partes) për administrim, mbrojtjen e ka dhënë i akuzuari Lufti Dervshi, urolog i cili po akuzohet nga Prokuroria Speciale për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.
Dëshmia e dëshmitarit D4 si marrës i veshkës si dhe dëshmia e dëshmitarit W3 e disa prova të tjera nuk do të administrohen si prova duke u bazuar në aktgjykimet e Gjykatës Supreme që të njëjtat të shpallen si prova të pa pranueshme.
Lutfi Dervishi, i cili nga viti 1984 ishte profesor në Fakultetin e Mjekësisë e nga viti 89 kishte ushtruar veprimtarinë e urologut mohoi që të ketë marrë pjesë në transplantimin e veshkave në klinikën “Medicus”.
I njëjti gjithashtu refuzoi kategorikisht që të ketë rekrutuar ndonjë pacient në mënyre direkte apo indirekte për shërbime të karakterit transplantues.
I akuzuari Lutfi Dervishi tha që nuk ishte ndëshkuar asnjëherë personalisht e as klinika Medicus për tejkalim të kushteve të licencës nga organet kompetente për mbikëqyrjen e spitaleve private.
Dervishi tregoi që ishte ai i cili kishte aplikuar dhe tërhequr licencën tek bordi për licencimin e institucioneve private shëndetësore.
Ai tha se klinika Medicus sipas kësaj licence, ishte e licensuar për mbledhje, ruajtje, transport dhe transplantim të indeve e organeve njerëzore.
Pas këshillimit me mbrojtësin e tij Besnik Berisha, Lutfi Dervishi shfrytëzoi të drejtën e tij të mbrohet në heshtje.
“Meqenëse barra e të provuarit i bie prokurorisë dhe meqenëse gjykatat më të larta veç janë shprehur lidhur me pikat e aktakuzës në veçanti faktet që akoma zvarriten në diapozitivin e aktakuzës…, si dhe mbështetur në listën e provave të administruara, është konstatimi im se profesor doktor Lutfi Dervishi nuk ka asnjë detyrim te vijoj më tutje me mbrojtjen e tij dhe nga ky moment unë e këshilloj me të drejtën e tij për t`u mbrojtur me mos deklarim me pyetjet që dikush…”- tha Berisha.
Për këtë rast i akuzuar është edhe djali i Lutfi Dervishit, Arban Dervishi, i cili në këtë seancë shfrytëzoi të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje duke mos e thënë asnjë fjalë.
Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më datën 2 mars ku do të jepen fjalët përfundimtare nga palët.
Lutfi Dervishi, urolog kosovar ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.
Pjesë e këtij gjykimi është edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, procedura e të cilit ishte e veçuar, ngase ai ndodhej në arrati.
Rasti ndaj të dyve është në rigjykim në Gjykatën e Prishtinës pasi që në rigjykim e ktheu Gjykata e Apelit.
Paraprakisht, nga Gjykata Themelore, Lutfi Dervishi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim dhe me gjobë në vlerë prej 8,000 euro.
Me të njëjtin Lutfi Dervishit i është ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut për një periudhë prej 2 viteve duke filluar nga dita e vuajtjes së plotë të dënimit me burgim.
Me rastin e aprovimit të ankesës së mbrojtësit së të akuzuarit Lutfi Dervishi, nga shkalla e dytë, ishte anuluar aktgjykimi i gjykatës Themelore, ashtu që kjo çështje penale ishte kthyer në rigjykim.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK