I akuzuari Lutfi Dervishi jep mbrojtjen në gjykimin e tij (Arkiv - Foto: KALLXO.com

Refuzohet ndryshimi i aktakuzës së Prokurorisë Speciale për rastin ‘Medicus’

Gjykata e Prishtinës ka refuzuar propozimin e Prokurorisë Speciale për ndryshim të aktakuzës, e cila është paraqitur e ndryshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në rastin e njohur “Medicus” ku të akuzuar janë urologu Lutfi Dervishi dhe djali i tij Arban Dervishi.

Të pandehurit po akuzohen nga Prokuroria Speciale për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.

Aktakuza e ndryshuar e PSK ishte përpiluar më datën 12.12.2022 ndërsa gjykatës i ishte dorëzuar më datën 13.12.2022.

Këtë aktvendim e mori Gjykata në Prishtinë me arsyetimin se aktakuza i ishte referuar dispozitës që ka të bëjë me kontroll të aktakuzës.

“Refuzohet propozimi i Prokurorisë Speciale për ndryshim të aktakuzës, e dorëzuar në gjykatë më 13.12.2022 e përpiluar më 12.12.2022, nën arsyetimin se aktakuza e ndryshuar i është referuar dispozitës 252 par 1 dhe 5 të kodit të procedurës penale, që ka të bëjë me bazën e kontrollit të aktakuzës dhe pas parasysh se ne jemi në shqyrtim gjyqësor dhe është lexuar aktakuza e vitit 2013 ende pa u administruar asnjë provë, ka pësuar një ndryshim i aktakuzës nga Prokuroria Speciale e që kjo në fazën që jemi mund të bëhet vetëm në përfundim të shqyrtimit gjyqësor mbi bazën e gjendjes faktike të ndryshuar, po ashtu neni 252 par 5, lejon ndryshimin e aktakuzës vetëm një herë e që kjo në fakt ka ndodhë në vitin 2013…”- mori aktvendim gjykata.

Pas vendimit të gjykatës për refuzim të propozimit, seanca pritet të vazhdoj në sesionin e pasdites.

Lutfi Dervishi, urolog kosovar ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.

Pjesë e këtij gjykimi është edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, procedura e të cilit ishte e veçuar, ngase ai ndodhej në arrati.

Rasti ndaj të dyve është në rigjykim në Gjykatën e Prishtinës pasi që në rigjykim e ktheu Gjykata e Apelit.

Paraprakisht, nga Gjykata Themelore, Lutfi Dervishi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim dhe me gjobë në vlerë prej 8000 euro.

Me të njëjtin Lutfi Dervishit i është ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut për një periudhë prej 2 viteve duke filluar nga dita e vuajtjes së plotë të dënimit me burgim.

Me rastin e aprovimit të ankesës së mbrojtësit së të akuzuarit Lutfi Dervishi, nga shkalla e dytë, ishte anuluar aktgjykimi i gjykatës Themelore, ashtu që kjo çështje penale ishte kthyer në rigjykim.

Shënim: Sipas udhëzimit të kryetares së trupit gjykues, titulli dhe hyrja e tekstit është ndryshuar në artikullit.

Rasti ‘MEDICUS’, Lutfi Dervishi lirohet nga paraburgimi