Euro, foto: Pixabay

Gjykata e Prishtinës pezullon vendimin e Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve

Gjykata e Prishtinës ka vendosur që të pezollojë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Pas pranimit të padisë nga Shoqata e Prokurorëve kundër Qeverisë, ka vendosur që të caktojë masën e sigurisë dhe të shtyjë ekzekutimin e këtij vendimi.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e Shoqatës së Prokurorëve për caktim të masës së sigurisë si të pabazuar dhe me këtë vendim ka shtyrë ekzekutimin e vendimit të Qeverisë.

Më 29 nëntor, Gjykata e Prishtinës ka pranuar padinë që kundërshton këtë vendim.

Me këtë vendim, shtyhet ekzekutimi i vendimit deri sa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor.

Gjykata njofton se palët e pakënaqura me këtë vendim të Gjykatës kanë të drejtë ankesë.

Si pasojë e këtij vendimi të qeverisë, u pezulluan punët në sistem të drejtësisë e si rezultat dështuan me qindra seanca gjyqësore.

Më 24 nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për pezullimin e punëve në gjykata. Ky vendim erdhi si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kthim të pagave të gjyqtarëve e prokurorëve sikurse në vitin 2017.

Që nga pezullimi i punës janë anuluar dhe kanë dështuar qindra seanca gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës.

Në mbledhjen e 23 nëntorit, Qeveria e Kosovës mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017 kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

Propozimin para kabinetit qeveritar e bëri kryeministri Albin Kurti, i cili tha pagat në sistemin e drejtësisë nuk kanë mundur të ulen për shkak se në Kushtetuese ka qenë trajtimi i ligjit të pagave.

“Vendimi i marr paligjshëm dhe në konflikt interesi, i qeverisë së kaluar, në vitin 2017 për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar është shfuqizuar me vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 12 shkurt 2020, ky vendim ka paraparë përjashtimin nga kthimi i pagave në gjendjen e mëparshme për sistemin gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese, marrë parasysh që ishte në procedurë trajtimi nga Gjykata Kushtetuese ligji i pagave”, deklaroi kryeministri Kurti.