Rasti "Medicus", aprovohet propozimi i Prokurorisë Speciale që të bëhet specifikimi i provave

Ka vazhduar gjykimi kundër Lutfi dhe Arban Dervishit, të akuzuar për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore, në rastin e njohur si “Medicus”.

Gjykata në Prishtinë ka aprovuar propozimin e prokurorit të Prokurorisë Speciale, Burim Qerkini, që t’i jepet mundësia të bëjë specifikimin e provave të cilat janë objekt i akuzës.

“Meqë kemi të caktuar edhe një seancë me datë 22, meqë tani kemi objekt shqyrtimi aktakuzën e vitit 2013, e ku janë të përfshirë një mori e provave, të me jepet mundësia që me i specifiku provat vetëm në raport me veprat që i kemi objekt akuze, qoftë personale apo materiale”- ishte propozimi i Qerkinit.

Gjykata aprovoi një propozim të tillë të prokurorit Qerkini pas deklarimit të mbrojtësve të të akuzuarve se nuk kanë ndonjë kundërshtim.

Përndryshe në sesionin e paradites, Gjykata e Prishtinës nuk aprovoi propozimin e Prokurorisë Speciale për ndryshim të aktakuzës, e cila ishte paraqitur e ndryshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës në rastin e njohur si “Medicus”, ku të akuzuar janë urologu Lutfi Dervishi dhe djali i tij, Arban Dervishi.

Të pandehurit po akuzohen nga Prokuroria Speciale për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.

Aktakuza e ndryshuar e PSK ishte përpiluar më 12.12.2022 ndërsa Gjykatës i ishte dorëzuar më datën 13.12.2022.

Lutfi Dervishi, urolog kosovar, ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.

Pjesë e këtij gjykimi është edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, procedura e të cilit ishte e  veçuar, ngase ai ndodhej në arrati.

Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin ndaj të dyve në rigjykim në Gjykatën e Prishtinës.

Paraprakisht, nga Gjykata Themelore, Lutfi Dervishi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim dhe me gjobë në vlerë prej 8.000 euro.

Me të njëjtin Lutfi Dervishit i është ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut për një periudhë prej 2 viteve duke filluar nga dita e vuajtjes së plotë të dënimit me burgim.

Me rastin e aprovimit të ankesës së mbrojtësit së të akuzuarit Lutfi Dervishi, nga shkalla e dytë, ishte anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore, ashtu që kjo çështje penale ishte kthyer në rigjykim.