Gjykata vendos ndaj të akuzuarve në rastin ‘Medicus’

Lutfi dhe Arban Dervishi, të akuzuar për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, në rastin e njohur si ‘’Medicus’’, janë liruar nga akuzat e prokurorisë nga Gjykata e Prishtinës.

Të premten Gjykata shpalli aktgjykimin për Lutfi Dervishi dhe Arban Dervishi, të akuzuar për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore.

Trupi gjykues me në krye Nushe Mekaj dhe me anëtarët e trupit gjykues Lutfi Shala dhe Kujtim Krasniqi bën të ditur se të akuzuarit Lutfi Dervishi dhe Arban Dervishi lirohen nga aktakuza, saktësisht nga pika 1 e aktakuzës ku të njëjtit do të kishin kryer trafikim me qenie njerëzore si dhe nga pika 2 e aktakuzës, ku të njëjtit do të kishin kryer veprën penale të krimit të organizuar në bashkëkryerje.

Aktakuza e ndryshuar e PSK ishte përpiluar më 12.12.2022 ndërsa Gjykatës i ishte dorëzuar më datën 13.12.2022.

Lutfi Dervishi, urolog kosovar, ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.

Pjesë e këtij gjykimi është edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, procedura e të cilit ishte e  veçuar, ngase ai ndodhej në arrati.

Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin ndaj të dyve në rigjykim në Gjykatën e Prishtinës.

Paraprakisht, nga Gjykata Themelore, Lutfi Dervishi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim dhe me gjobë në vlerë prej 8,000 euro.

Me të njëjtin aktgjykim, Lutfi Dervishit i ishte ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut për një periudhë prej 2 viteve duke filluar nga dita e vuajtjes së plotë të dënimit me burgim.

Me rastin e aprovimit të ankesës së mbrojtësit së të akuzuarit Lutfi Dervishi, nga shkalla e dytë, ishte anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore, ashtu që kjo çështje penale ishte kthyer në rigjykim.

Të gjitha raportimet e tjera nga Kallxo.com, lidhur me këtë rast mund ti gjeni në këtë LINK.