Kardiologët Vazhdojnë Grevën Kundër Hetimeve në Skandalin ‘Stentat’

Greva e kardiologëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është duke vazhduar edhe sot.

Greva vjen pas hetimeve të zgjeruara të Prokurorisë së Shtetit ndaj më shumë se 100 kardiologëve të Klinikës Universitare të Kosovës për rastin “Stenta”.

Ajo nuk dihet se kur do të përfundojë, pasi që  në një mbledhje të mbajtur sot nga Kolegjiumi i Klinikës së Kardiologjisë, bashkë me përfaqësuesin e organizatës sindikale të QKUK, është kërkuar takim urgjent me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Drejtësisë.

KALLXO.com ka raportuar qysh në tetor të vitit 2014 rreth një skandali që përfshinte kardiologë kosovarë në pazaret e tyre rreth vendosjes së stentave në zemër për pacientët e tyre.

http://kallxo.com/sms-te-e-mjekeve-te-arrestuar/

Më vonë raste të konkrete të keqtrajtimit të pacientëve ishin trajtuar edhe në emisionin “jeta në Kosovë”.

Skandalet e Mjekëve me Stenta

Shefi i Klinikës së Kardiologjisë, Gani Bjaraktari, sot nuk dëshiroi të komentojë për grevën, por tha shkurt se ata pritet të takohen të hënën me Ministrin e Shëndetësisë.

Ndërsa në letrën drejtuar  Shërbimit  Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, ky kolegjium thotë se greva nuk është bërë për shkak të fillimeve të hetimeve të Prokurorisë së Shtetit.

“(Greva po bëhet) për shkak të publikimit të hetimeve masovike të kardiologëve, që ka shkaktuar vështirësi të punës së tyre, për shkak të prishjes së raporteve mjek-pacient”, thuhet në letrën e Kolegjiumt të Klinikës së Kardiologjisë.

Ky kolegjium gjithashtu kërkon nga Ministri i Shëndetësisë zbatimin e Ligjit për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë.

Ata kanë thënë se se mjekët kujdestarë do të sigurojnë sot dhe gjatë ditëve të fundjavës, “trajtim korrekt të të gjitha rasteve urgjente”, sipas protokollove për trajtimin e këtyre rasteve.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me drejtorin e Shërbimit Spitalor dhe Klinikën Universitare të Kosovës, Curr Gjocaj, por kontakti me të ka qenë i pamundur

Ndërsa Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se ata do ta përkrahin grevën deri në takimin me Ministrat e Shëndetësisë dhe Drejtësisë.

“Sindikata  Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës e ka përkrahur protestën e kardiologëve, sepse me këto hetime po cenohet i tërë sistemi shëndetësorë, me dyshime dhe spekulime”, tha Selmani.

Ai u shpreh se organi i hetuesisë  e ka për obligim të ruajë fshehtësinë profesionale, pasi që sipas tij skandalet e njëpasnjëshme nuk janë ndalur ndaj sistemit shëndetësorë të Kosovës.

http://kallxo.com/jeta-ne-kosove-dhe-kallxo-com-cmim-per-gazetari-hulumtuese-me-stentat/

“Qëndrimi i Sindikatës Shëndetësore nuk është pengimi i hetimeve, por ruajtja e sistemit shëndetësor nga interferimet sepse ne jemi në hallkën e parë që i shërbejmë pacientëve tanë, dhe automatikisht shteti po e paragjykon sistemin shëndetësorë, po krijon asi hutie në opinion sa pacientet tanë po merren me paragjykime që ne i zhvasim ata, që ne pas përfitimeve materiale ndaj tyre edhe i vrasim ata “, tha Selmani.

Ai tha se pret që “edhe politika të reflektojë”.

“Nëse duhet ta luftojnë korrupsionin, le të fillojnë prej vetvetes së tyre, sepse duan të pastrohen para bashkësisë ndërkombëtare për liberalizimin e vizave, dhe duhet ta luftojnë korrupsionin brenda vetës së tyre”, tha Selmani.

Në një deklaratë të lëshuar  nga Prokuroria e Shtetit thuhet se protesta e paralajmëruar nga disa kardiologë paraqet “presion për ndërhyrje në punën e pavarur”.

Prokuroria njoftoi se i ka zgjeruar hetimet e nisura në vitin 2014 lidhur me Rastin “Stenta” dhe tani po heton edhe disa të dyshuar tjerë.

“Në këtë rast bëhet fjalë për disa mjekë kardiologë, e jo për të gjithë kardiologët në Kosovë, të cilët dyshohen së kanë kryer veprat penale,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Këtu mund të lexoni për hulumtimet tona rreth rastit “Stentat”.