KALLXO 360: 'Trepça' Ndan Etnikisht Ministrat e Qeverisë

Kabineti qeveritar ka aprovuar vendimin për themelimin e Komisionit për Hartimin e Projektligjit për Trepçën, por pa votat e anëtarëve të qeverisë nga komuniteti serb.

Kur e ka hedhur në votim përbërjen e komisionit i cili do t’i raportojë qeverisë, zëvendëskryeministri Branimir Stojanoviq dhe ministrat Lubomir Mariq e Dalibor Jevtiq kanë ngritur dorën kundër këtij propozimi.

Pas mbledhjes, në një konferencë për shtyp, Mustafa tha se ka biseduar edhe me ministrat serbë të kabinetit të tij dhe ka shprehur bindjen e plotë se Kuvendi i Kosovës do ta aprovojë ligjin i cili sipas tij do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Por Mustafa këmbënguli se çështja e Trepçës, në të cilën ka pretendime edhe qeveria e Serbisë, nuk do të bëhet pjesë e dialogut ndërmjet prishtinës e Beogradit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Trepça assesi nuk do të shkojë në Bruksel dhe se Qeveria e Kosovës me askënd nuk do të bisedojë lidhur me pronat e Republikës së Kosovës. Trepça është pronë e Republikës së Kosovës, e sanksionuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe po ashtu është pronë e njohur edhe me Planin e Ahtisaarit, si bazë e rregullimit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

Kryesues i komisionit të themeluar sot është ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavileci, ndërsa pjesë e tij do të jenë edhe Hajredin Kuçi, Lubomir Mariq, Ahmet Tmava, Petrit Gashi, Ranko Gjuriq, Naser Peci, Ilir Dushi, Shyqri Kelmendi, Ferat Shala, Mynir Dushi, Ilaz Ramaja, Besim Kajtazi, Salvador Elmazi, Dukagjin Abdyli, Alban Çollaku dhe një përfaqësues i sindikatës së pavarur të Trepçës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, tha se ky komision definon statusin final të Trepçës.

Sipas Mustafës, komisionit i është dhënë detyrë që në afatin optimal t’i paraqes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik projektligjin, të kryhen të gjitha fazat e konsultimeve të brendshme dhe të jashtme me të gjitha palët e interesuara për këtë ligj dhe ai të procedohet në Qeveri dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë pjesës së parë të këtij viti.

“Ligji do t’iu nënshtrohet të gjitha procedurave të rregullta dëgjimore dhe do të aprovohet në procedurë të rregullt në Kuvend dhe në Qeveri. Ky Komision do t’i raportoj Qeverisë lidhur me punën e tij dhe do të kemi bashkëpunim të ngushtë lidhur me këtë. Unë mendoj se themelimi i këtij komisioni për hartimin e projektligjit, paraqet hapin e fundit që Qeveria po e ndërmerr në realizimin e premtimeve të saj që i ka dhënë për zgjidhjen afatgjate të statusit të Trepçës, e cila kompani tani gjendet nën qeverisjen e AKP-së dhe ne do të dëshironim që gjatë këtij procesi të kemi të gjitha inputet edhe prej shoqërisë civile, qytetarëve, profesionistëve, në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen më të mirë dhe më të qëndrueshme për Trepçën”, tha Mustafa.

Kryeministri Mustafa, po ashtu tha se së shpejti do të kenë informatë edhe nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit lidhur me kërkesat e kreditorëve dhe lidhur me të gjitha borxhet për të cilat pretendohet se i ka Trepça.

Mustafa tha se po bëjnë përpjekje që të kyçen të gjitha palët e interesuara për këtë rast. Ai theksoi se kanë biseduar edhe me sindikatat, me udhëheqjen e Trepçës, me profesionistët e ndryshëm që e njohin këtë fushë, dhe beson plotësisht që Qeveria me kohë do të përfundoj ligjin për Trepçën dhe se minatorët e Trepçës do të jenë të kënaqur me zgjidhjen të cilën do ta bëjnë.