Specialja bastis shtëpinë e Sylejman Selimit

Gjykata Speciale e Hagës ka konfirmuar për KALLXO.com se po kryen operacione në Kosovë, më 07.03.2024.

“Gjykata Speciale po kryen operacione të vazhdueshme”- thuhet në përgjigjen e dhënë për KALLXO.com, pas pyetjes se a po kryhen bastisje në disa lokacione.

Më vonë gjatë ditës u konfirmua se bastisjet po kryheshin në shtëpinë e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm, Sylejman Selimit.

Disa media vendore raportuan se ishte bastisur dhe ishte arrestuar Hajredin Kuçi, ish-ministri i Drejtësisë, por ai ka mohuar këto raportime.

Ndërkaq, Specialja nuk ka pranuar të japë përgjigje specifike rreth operacionit të sotëm.

Lidhur me këtë, në afërsi të vendit të bastisjes për media është prononcuar avokati i Selimit, Artan Qerkini. KALLXO.com raportoi nga vendi i ngjarjes:

Avokati Qerkini bëri të ditur se Selimi nuk është i dyshuar.

“Ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar por sipas urdhrit të gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova të cilat ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.”

Për më tepër, Qerkini aludoi mbi kundërligjshmërinë e urdhrit për kryerjen e kësaj bastisje.

“Ne i kemi disa vërejte në vetë urdhrin mendojmë se nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore e për më shumë i cenon edhe disa të drejta kushtetuese të personave sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi me një urdhër të gjykatës nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar” – tha avokati Qerkini.

Ndërkaq, i njëjti dha detaje se për cilin rast bëhet fjalë.

“Prokuroria është në fazën e hetimeve, nuk jep detaje kështu që nuk kisha dashtë me spekulu se për cilin rast bëhet fjalë, mirëpo në momentin që një gjë e tillë të bëhet publike do të ju njoftojmë” – tha avokati.

Ndërkaq, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një postimi në Facebook, bastisjen tek shtëpia e Sylejman Selimit e ka quajtur “spektakël i radhës nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar”.

“Siç po raportohet në media, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është duke kryer bastisje në Kosovë. Njëra prej tyre është në shtëpinë e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi. Edhe këto bastisje që po ndodhin sot, janë vetëm një spektakël i radhës nga ana e tyre”- shrkoi Klinaku.

 

Artikulli është përditësuar me të dhëna shtesë më 07.03.2024, në ora 15:04.