Insert nga filmi 'Home'

Jeta në Këpucët e Refugjatit

Filmdashësit në Kosovë kanë pasur mundësi që mbrëmë në të njëjtën kohë të shohin premierën e filmit “Home” i cili është ko-produksion i “DokuFest” në Kosovë dhe kompanive britanike BlackSheep dhe SomeSuch Films.

Fimi “Home” me skenar dhe regji të Daniel Mulloy sjell jetën e qetë të një familje britanike e cila për 20 minuta sa zgjat filmi, bëhet e rrezikshme dhe e paparashikueshme.

Jack O’Connell dhe Holliday Grainger të cilët kanë rolin kryesor marrin dy vajzat e tyre dhe kalojnë kufirin në mënyrë ilegale për të shkuar në një zonë lufte ku nuk dihet se çfarë do të ju ndodhë.

Ata janë gjatë gjithë kohës duke u munduar që të qëndrojnë të gjallë pasi që familjes së tyre përveç që i duhet që të jetojë nëpër kampe më refugjatët e tjerë, të sigurojë vetë ushqim u duhet të kalojnë rrugë të gjata në këmbë duke mbajtur fëmijët në krahë.

Familja e tyre përballet edhe me trafikantët të cilët i vendosin në bagazhe të veturës dhe të ndarë nga njëri-tjetri për të kaluar kufirin ilegalisht.

Drejtori Ekzekutiv i DokuFest Eroll Bilibani, tregoi sesi regjisori i filmit Daniel Mulloy gjatë qëndrimit të tij në Kosovë vitin e kaluar, në kuadër të Festivalit DokuFest-it ishte frymëzuar për të shkruar skenarin e këtij filmi.

“Izolimi i Kosovës që ndërlidhet me largimet nga Kosova së bashku me krizën e refugjatëve Sirian e ka frymëzuar Danielin që të tregojnë historinë e një çifti qe jetojnë në një shtëpi të sigurt dhe pastaj i marrin fëmijët e tyre dhe shkojnë në një zonë luftë”, tha ai.

Insert nga filmi 'Home'
Insert nga filmi ‘Home’

Eroll Bilibani i cili është edhe producent ekzekutiv i filmit tha se është krenar që filmi “Home” do të jetë pjesë e fushatës për Ditën e Refugjatëve e cila shënohet me 20 qershor.

Përveç xhirimeve në Britani filmi përmban edhe skena nga Graçanica dhe Janjeva në Kosovë si dhe Shqipëri. Filmi gjithashtu përbëhet nga një kastë e përzier aktorësh britanik dhe shqiptarë.

Andi Bajgora, Armend Ismajli, Rebeka Qena, Zaki Ramadani, Alban Rexhaj, Afrim Muçaj, Mevlyd Osmani, Adriana Matoshi dhe Edison Dabiqaj janë emrat e disa prej aktorëve kosovarë.

Producenti kosovar i filmit, Shpat Deda tha se filmi do të ndihmojë që njerëzit të solidarizohen me refugjatët.

“Besoj që flas në emër të shumicës prej nesh kur them se ne e pranua këtë projekt si shenjë detyre dhe solidaritetit me refugjatët ne botë dhe e gjitha që mundemi të shpresojmë është që ‘Home’ do të inspirojë njerëzit për solidaritet të njëjtë në gjithë botën”, tha ai.

Të gjitha të ardhurat nga filmi “Home” do të shkojnë në fondet për të ndihmuar refugjatët në mbarë botën.

Filmi është realizuar me mbështetjen financiare të ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Fondacionit për Shoqëri të Hapur Londër dhe USAID-it, duke përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.