Festivali i Gani Jakupit përfitues i 20 mijë eurove nga Ministria e Kulturës

 

Emri më i lakuar i javëve të fundit në opinionin publik, Gani Jakupi, së fundmi organizata e themeluar nga ai, është përfituese e 20 mijë eurove të ndara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për të organizuar festivalin “Gran Fest 2024”.

Lista e fituesve të kësaj thirrje është publikuar në faqen e MKRS-së më 29 nëntor të këtij viti.

“Gran Fest” është festivali i vetëm ndërkombëtar në Kosovë i dedikuar romanit grafik. 

Kjo organizatë e cila është përfituese e subvencioneve për mbështetje kulturore, quhet Instituti Për Art – ProARTE. Jakupi njëherazi është këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike, i kontraktuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), me pagë mujore 7500 euro, me një vit kohëzgjatje, që do të thotë 90 mijë euro në vit.

Ndërkaq, sipas të dhënave në Sistemin Elektronik të Organizatave Joqeveritare, Instituti për Art, ProARTE Institute e themeluar në vitin 22/02/2021. E themeluar në Kosovë nga Gani Jakupi dhe Majlinda Bregasi, ndërsa tani udhëhiqet nga Ensara Haliti.

Lista përfituese nga MKRS, në listë me nr.14 është organizata ProArte Institute

Themeluesi i saj, Gani Jakupi në një bisedë me KALLXO.com tha që këto 20 mijë euro janë ndarë nga MKRS për edicionin e “Gran Fest” për vitin 2024. Ndërsa, edicioni i sivjetëm është i financuar nga Komuna e Prishtinës, Ambasadës Italiane e asaj Franceze. 

“Bordi duhet me vendos kur do mbahet festivali i 2024, po me siguri kah fundi i majit se sivjet është vonuar për arsye objektive, ka pas disa çështje administrative, se e kemi pas të paraparë në shtator, po na është anuluar dy-tri ditë përpara” – tha Jakupi.

Jakupi tha që paratë nuk hynë të gjitha në xhepin e tij pasiqë ndahen për nevoja të festivalit. “Ne mbajmë ëorkshope nëpër shkolla, konferenca edhe ndoshta ndonjë masterclass”- shtoi ai.

Të dhënat e organizatës të marurr nga sistemi elektronik i organizatave jo-qeveritare.

Sipas tij, për shkak të angazhimeve të shumta që ka vitin e fundit si këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike, me festival do merret më shumë ekipi i tij.

Për angazhimin e tij si këshilltar, gjë që bëri bujë për shkak të pagës së lartë, Jakupi thotë që po mundohet ta ndërtojë imazhin e Kosovës në vendet jonjohëse të shtetësisë së Kosovës.

“Takimet (në vendet jonjohëse) janë veç një pjesë që janë ajo maja e ajsbergut, ka shumë tjera që nuk mundem me i shpalos. Se këtu duhet me ba edhe lobim, takimet janë vetëm sipërfaqësore. Ka organizime, ka logjistikë. Arsyeja pse jam kontraktu unë është përmisimi i imazhit të Kosovës në botën perendimore. E qysh arrij atë nuk kam të drejtë të flas në bazë të kontratës”- tha ai për KALLXO.com.

Jakupi tha që rezultatet e punës së tij si këshilltar i jashtëm do i shohim në fund kur do t’i përfundoj raportet. Pasiqë sipas tij, ajo çka publikon ai në rrjetet e tij sociale janë vetëm një fasadë.

“Unë për momentin krejt punët e mija i kam lanë, veç me këta po merrem ekskluzivisht. Kam bërë edhe më parë këso misione pro-bono. Por tash bëjë raporte që dikush i sistemon. Unë veçse e kam pas një projekt me koreanët, po kur më kanë propozu me përfaqësu Qeverinë kam vazhdu vetëm me këtë çështje”- shtoi Jakupi.

E sa po arrinë të lobojë në këto vende përmes kulturës dhe artit, Jakupi tha që ka marrur rezultate të mira nga vendet jonjohëse, por që gjithçka do shpaloset përmes raporteve.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kishte thënë që Jakupi është i angazhuar në kuadër të një kontrate që sipas saj bazohet tërësisht në legjislacionin e Kosovës.

“Gani Jakupi nuk merr pagë nga Republika e Kosovës, nuk është këshilltar i Donika Gërvallës, z.Jakupi ka një projekt të caktuar që bazohet në legjislacionin e vendit tonë që është i paraparë me buxhetin e Kosovës dhe në kuadër të kontratës, projektit ai jep ndihmën e tij”- shtoi Gërvalla.

KALLXO.com ka kërkuar e rikërkuar përmes qasjes në dokumente publike në këtë kontratë në MPJD, por që 13 ditë të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Kjo kontratë është nënshkruar më 20 qershor 2023 nga Ambasada e Kosovës në Bruksel, e përfaqësuar nga ambasadori Agon Bajrami. Kontrata është pesë faqëshe, që përmban pjesën kryesore me tri fletë dhe dy me një aneks-kontratë, e obligon Gani Jakupin që të angazhohet kryesisht në: Takime me gazetarë, artistë, drejtorë festivalesh, etj.

KALLXO.com ka hulumtuar se organizata joqeveritare e themeluar nga Gani Jakupi ka përfituar edhe në vitin 2021 nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht Departamenti i Kulturës për ofrimin e mbeshtetjes financiare publike per financimin e projekteve – programeve te OJQ-ve nga Pakoja e ringjalljes ekonomike ne Departamentin e Kulturës dhe të Trashëgimisë Kulturore’’.

Në këtë thirrje organiza jo-qeveritare ProARTE Institute ka përfituar 6,000 euro, me projektin Gran Fest 2021, me temën e edicionit, “Women Empowerment through Art”.