Memoriali i ‘Epopesë së Jezercit’ mbetet i pariparuar edhe tre vjet pas fillimit të punimeve

Para më shumë se 3 viteve kishte filluar renovimi i memorialit të ‘Epopesë së Jezercit’ pranë shkollës së këtij fshati, por rezultati final ende nuk po shihet.

Për riparimin e memorialit si dhe ndërtimin e të gjithë parkut memorial në Jezerc të Ferizaj, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (tani e fuzionuar me Ministrinë e Infrastrukturës) me Komunën e Ferizajt në vitin 2019 pati nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Pas nënshkrimit të këtij memorandumi, Komuna e Ferizajt lidhi kontratë në vlerë prej 357 mijë e 810 euro dhe 88 centë.

Kjo kontratë e nënshkruar më 27 dhjetor 2019, dhe parashihej që ndërtimi i gjithë parkut memorial të Epopesë së Jezercit të kryhej brenda 24 muajve, apo thënë ndryshe planifikohej që ky projekt të përfundonte më së largu në dhjetorin e vitit 2021.

Në kuadër të kësaj kontrate, parashihej që riparimi i memorialit në Jezerc të kushtonte 21 mijë e 200 euro.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com tregon se për këtë projekt në vitin 2020 ka shpenzuar 75 mijë euro.

Sipas tyre, Covid-19 dhe fuzionimi i dy ministrive ka ndikuar në Ligjin e Buxhetit dhe ka imponuar Ministrinë që përkohësisht të ndërpres investimet për këtë projekt.

“Komuna për këtë projekt ka probleme pronësore me banorët të cilat janë në proces të zgjidhjes. Kontrata për ketë projekt është pezulluar nga Komuna e Ferizajt, deri në zgjidhjen e problemeve me prona dhe sigurimin e buxhetit për vazhdimin e projektit. Pas rregullimit të çështjeve pronësore me banoret dhe nënshkrimi i Aneks Marrëveshjes në mes MMPHI dhe Komunës së Ferizajt, Komuna vazhdon me procedurat e prokurimit për këtë projekt” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Meriton Hajdini, Drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt thotë pandemia dhe inflacioni ndikuan në intensitetin e punimeve, e që skadoi edhe afati i memorandumit të bashkëpunimit me Ministrinë.

“Ne disa herë kemi bërë shkresa drejtuar Ministrisë për zgjatjen e memorandumit, në mënyrë që të vazhdohet me punimin e gjitha pikave të parapara me projekt. Duke qenë se asnjëherë nuk kemi marrë një përgjigje nga ana e Ministrisë, punimet kanë mbetur pezull dhe nuk kanë përfunduar” – deklaroi Hajdini për KALLXO.com.

Hajdini shton se janë në pritje për plotësimin e memorandumit të bashkëpunimit dhe të shihet mundësia e vazhdimit të kontratës së vjetër apo të zhvillohet procedurë e re e prokurimit.

Për këtë projekt u krye pagesa për disa nga punët në pikën 4 të UÇK-së në Jezerc, disa nga punët në pikën 6 dhe se 4 mijë e 200 euro u dhanë për riparimin e memorialit tek shkolla e Jezercit.

Luan Jahiri, nënkryetar në Organizatën e Veteranëve të Luftës në Ferizaj, në një prononcim për KALLXO.com thotë se çështja e riparimit të memorialit është mes Komunës dhe Ministrisë.

“Ka mbetur si proces i bllokuar për shkak se Ministria i ka ndalu pjesën e pareve, qaty është problemi. Memoriali pritet me u rregullu, është prit me u rregullu këtë vit po pritet me u lëshu paret nga Ministria dhe përfundohet si proces sepse ka fillu veç renovimi i memorialit, dy pika kanë përfundu dhe si proces pritet që gjashtë pika me u rregullu dhe memoriali me u renovu. Ai memorial duhet me u përfundu dhe ka me u përfundu” – deklaroi Jahiri.

Pyetje rreth këtij memoriali, KALLXO.com ka dërguar edhe tek Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale por që këta të fundit u deklaruar se ky memorial nuk është nën menaxhimin e tyre.