Takimi Jahjaga-Abrashi | Foto: Facebook

Jahjaga e Abrashi Flasin për Viktimat e Dhunimit Gjatë Luftës

Ish-Presidentja Jahjaga dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi janë takuar sot për ta falënderuar njëri-tjetrin rreth punës së bërë për kompensimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Jahjaga shkroi në Facebook se është krijuar Komisioni për verifikimin e atyre që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës.

“Themelimi i Komisionit është lajm jashtëzakonisht i mirë për viktimat e dhunës seksuale, të cilat meritojnë përkrahje nga institucionet e vendit dhe e gjithë shoqëria”, shkroi Jahjaga.

Ajo më tutje njoftoi se komisioni do t’ia hapë rrugën kompensimit të atyre që përjetuan këtë dhunë.

“Ky Komision hap rrugën për procesin e aplikimit dhe verifikimit të këtyre viktimave, duke iu mundësuar kompensimin financiar që u takon me ligj”, shkroi jahjaga.

Edhe ministri Abrashi ia njohu Jahjagës kontributin e saj për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“E falënderoj Presidenten Atifete Jahjaga për përkushtimin e saj ndaj kauzës së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, shkroi ministri Abrashi.

Në mars të vitit 2016 ndodhën aplikimet e para të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës pikërisht te Jahjaga, kur ajo ishte presidente.

http://kallxo.com/aplikimet-e-para-te-viktimave-te-dhunimit/

Në korrik të vitit të kaluar BIRN shkroi për vonimin e krijimit të komisionit për verifikimin e viktimave të dhunimit gjatë luftës.

http://kallxo.com/verifikimi-vonuar-viktimave-te-perdhunimit/

Pas krijimit të komisionit, viktimat e dhunimit seksual gjatë luftës kanë afat prej pesë vjetësh për të aplikuar për kompensim material në lidhje me vuajtjet që përjetuan.